Pasditen e 1 dhjetorit 2024, Alfred Dedja 50-vjeç, u ekzekutua në ambientet e një lokali në Ndroq, një fshat pak kilometra larg Tiranës.
Sa i përket dinamikës së krimit, autori dhe viktima pasi kanë parë njëri-tjetrin në ambientet e të njëjtit lokal, kanë debatuar mes tyre dhe më pas Julian Gjoshi e ka qëlluar me pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Dedjas.
Të nesërmen e ngjarjes, autoritet raportuan se një 26-vjeçar i quajtur Julian Gjoshi u vetë dorëzua duke marrë përsipër autorësinë e vrasjes.
Viktima dhe autori kishin njohje me njëri tjetrin. Alfred Dedja kishte punuar vite më parë edhe si menaxher i kompleksit ‘Golden’ në Shijak, pronë e Altin Hajrit, aty ku u dërgua pas rrëmbimit dhe më pas u zhduk Jan Prenga, në vitin 2020. Në këtë kompleks janë pamjet e fundit ku kamerat e sigurisë kanë kapur imazhet e trupit të Jan Prengës që nxirret nga një mjet Range Rover.
Gjoshi rezulton një emër i njohur për Policinë së Shtetit. Ai ishte i dënuar më parë por dhe në një hetim ndaj ish deputetit i Partisë Socialiste, Egrys Çyrbja, emri i 26-vjeçarit përmendet si rast ky personat me rekorde kriminale kërkojnë ndërhyrjen e ish deputetit për lirimin e tij nga burgu.
Tre vite më parë, Julian Gjoshi ishte arrestuar, për armëmbajtje pa leje dhe drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por ai ia hodhi “paq” burgut falë një vendimi të gjykatës së Tiranës.
Më 23 Dhjetor 2021, Gjoshi u lërua nga salla e gjyqit duke premtuar se do të ishte qytetar shembullor dhe se nuk do të shoqërohej me element që cenonin sigurinë në vend.
3 vitet më vonë, ajo jo vetëm do të përmendet një një nga dosjet hetimore të Prokurorisë së Posaçme por 26 vjeçar u vetë dorëzua duke marrë përsipër edhe vrasjen e kryer në fshatin Ndroq.
Vendimi i dyshimtë

Mbrëmjen e 18 Janarit 2021, gjatë një kontrolli rutinor në bulevardin “Gjergj” Fishta”, policia konstatoi se Julian Gjoshi po drejtonte drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Pasi u ndalua, policia gjeti në mjetin e tij edhe një armë cka solli arrestimin e menjëhershëm të të riut duke u akuzat për dy veprat penale për të cilat kodin penal parashikon burg nga 3-7 vite për armëmbajtje dhe 10 ditë deri në 3 vite burgim për akuzën drejtim mjeti në gjendje të dehur.
“I pandehuri u arrestua më datë 18.01.2021, rreth orës 22.00, ku gjatë patrullimit punonjësit e policisë të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme “Shqiponja” kanë konstatuar automjetin tip Ford Fiesta me targë “AB 179 AU”, me drejtues Julian Gjoshin dhe gjatë kontrollit fizik të mjetit poshtë sediljes së drejtuesit është gjetur një send i dyshuar armë zjarri me mbishkrimin “Bereta Cardone” dhe një krëhër me dhjetë fishekë ku krëhëri ishte brenda në armë” – thuhet në dosjen hetimore.
Gjoshi “lahu hesapet” me drejtësinë duke u dënuar me tre vite shërbim prove në 2021.
Vendimi i gjykatës, që shmangu burgimin, bazohej në pretendime për “pendesë”, “sjellje të mirë” dhe “gjendje shëndetësore të rënduar” të të riut por një hetim i më vonshëm i Prokurorisë së Posaçme ndaj ish deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, i arrestuar për veprat penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit dhe tregtim i sekretit shtetëror”, ngrenë dyshime për ndikime nga rrjete kriminale për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj Julian Gjoshit.
Provat e siguruara nga prokurorët përfshijnë mesazhe nga Altin Hajri, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili përmes kontakteve me ish-deputetin Jurgis Çyrbja dhe persona të tjerë, dyshohet se ndërhynë për të prishur provat dhe për të siguruar lirimin e Gjoshit.
“…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…”, i shkruan Hajri.
Referuar dokumenteve, fillimisht ndaj Gjoshit është caktuar masa e sigurisë 21 ditë “arrest me burg”, për të pritur aktin e ekspertimit të armës dhe ky padyshim që quhej “nder i madh” nga ana e Altin Hajrit i cili disa herë në komunikimet e tij i kujton Jurgis Çyrbes që ti marrë me lezet përmasat trupore “mikut të tij” për ti “prerë dy kostume”.
Megjithatë, ekspertiza mbërrin dhe arma del funksionale, por duke mos i gjetur shenja gishtash, një hollësi që merret në konsideratë nga gjykata për ti lehtësuar dënimin.
“Armën e gjeta në rrugë dhe u nisa për ta dorëzuar në polici” – do i deklaronte Gjoshi gjykatës.
Dokumentet tregojnë se vetëm pas 10 muajsh burgim, kunati i Altin Hajrit u lirua nga salla e gjyqit, falë vendimit të dhënë nga gjyqtare Shefkie Demiraj.
Gjyqtarja vendos lirimin e tij të menjëhershëm dhe dënimin me tre vite shërbim prove, duke rrëzuar pretencën e prokurorit Hysen Mulaj i cili kishte kërkuar katër vite burgim.
“Urdhërohet i pandehuri të mbajë kontakte të vazhdueshme me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë duke e vënë atë në dijeni për ndryshimin e banesës. Urdhërohet i pandehuri Julian Gjoshi të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht të dënuar. Urdhërohet i pandehuri të mos zotërojë, mbaje apo përdorë armë” – argumenton gjykata në vendimin përfundimtar.
Për 23-vjeçarin nuk u aplikua dënimi me burgim pasi “kishte sjellje të mirë”, “kishte shfaqur “pendesë” dhe mbi të gjitha sipas gjykatës ishte i sëmurë duke kaluar “arrest kardiak”, dhe “vinte nga një familje e mirë dhe me reputacion në zonën e Shijakut”.
Në vendimin e saj gjyqtarja Demiraj i referohet edhe një raportit mjeko-ligjor sipas të cilit “është arritur në konkluzion Infarkt Akut miokardi pa ngritje të segmentiti ST, një pacient me stenozë kritike të trunkut komun dhe sëmundje 3-vazale të artiereve koronare”.
Shteg.org u konsultua me mjek për të kuptuar këtë diagnozë të vendosur ndaj Gjoshi. Sipas mjekut, me këtë diagnozë pacienti është në rrezik serioz për jetën dhe në raste të tilla këshillohet që i sëmuri të bëjë një jetë të qetë, pa stres dhe veçanërisht pa konflikte, pasi duke iu referuar diagnozës (e paraqitur si provë në gjykatë për të dhënë dënim lehtësues) ka rrezikun e një ataku të dytë kardiak çka mund të çojë deri në humbje jete.
“Po është e vërtetë që klienti im është dënuar tre vite shërbim prove, por ka kryer një kohë të gjatë paraburgimi. Ndërsa ka mbajtur kontakt të rregullt për shlyerjen e dënimit me shërbimin e provës” – tha për “shteg.org”, avokati Ilir Murati, që ka mbrojtur Julian Gjoshin tre vite më parë.
Sipas avokatit çështja ndaj Gjoshit, pas apelimit nga prokuroria aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, ndërsa tashmë ai është sërish përballë drejtësisë, por këtë herë i akuzuar për vrasje me paramendim.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.