“Unë nuk isha asnjëherë në zyrë. Nuk kisha punonjës, nuk dija çfarë ndodhte. Vetëm firmosja dhe ia jepja lekët Fredit.”
Ky ishte fillimi i dëshmisë së Muhamet Petritit, një burrë rreth të 60-ave, furrtar nga Tirana e Re, që një ditë u zgjua “pronar” i një kompanie ndërtimi që kishte fituar dhjetëra tendera publikë me vlera miliona euro.
Në sallën e Gjykatës së Posaçme, ai tregoi se si u bë figurë qendrore në letër e kompanisë VAS Konstruksion, një prej ndërmarrjeve të përfshira në dosjen hetimore “5D Konstruksion”.
Alfred Qato, dhëndri im, m’u afrua dhe më tha: është një firmë e mirë më tha, do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh” – tregoi furrtari.
Petriti pranoi se nuk kishte pasur asnjëherë dijeni për aktivitetin e kompanisë që mbante emrin e tij. Por ai pranoi se kishte tërhequr nga banka shuma që varionin nga 18 deri në 42 milionë lekë, të cilat më pas ia dorëzonte dhëndrit të tij.
“Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Hapa një numër llogarie. Banka më niste njoftim, të tërheq shumën, 40 milionë lekë të vjetra. I merrja lekët, ia jepja Fredit, e shkonin në arkën e vogël të shoqërisë” – përfundon Petriti.
Dëshmia e Petritit është vetëm maja e një ajsbergu që hetimi i SPAK ka ekspozuar si një ndër skemat më të sofistikuara të abuzimit me tenderat publikë në Shqipëri.
Përmes përdorimit të kompanive fiktive, ortakëve formalisht pronarë, dhe lidhjeve të forta politike, një rrjet personash të lidhur me Bashkinë e Tiranës ka përfituar mbi 2.8 miliardë lekë në mënyrë të parregullt, gjatë periudhës 2016–2022.
Kompania “5D Konstruksion”, e cila sipas dokumenteve të SPAK ka fituar të paktën 32 tendera publikë, shpesh me shkelje flagrante të kritereve ligjore dhe teknike.
Hetimet zbuluan se kompania “5D Konstruksion”, u regjistruar në mënyrë formale nga persona periferikë, por që në fakt kontrollohej nga ish-zyrtarët e Bashkisë, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Përballë tagoave të zeza, dëshmitarët treguan si u krijua kompania që më vonë do të shërbente si urë për krijimin e “5D Konstruksion”.
Në vitin 2013, në një nga sportelet e QKR-së në Tiranë, Eduard Meta regjistroi një aktivitet tregtar të thjeshtë me emrin IGOR Electric. Ishte një biznes modest, siç e përshkruan vetë ai në dëshminë e dhënë para trupit gjykues:
“Kapitali fillestar ishte 1 mijë lekë. Kam qenë i regjistruar si person fizik. Kam blerë mjete, gradualisht, asete.” – rrëfeu Meta.
Në vitin 2016, kompania tashmë e kthyer në person juridik, nisi të fitojë kontrata publike, me OSHEE-në, Bashkinë e Tiranës, Tirana Parking. Punime në zonën e Pazarit të Ri, ndërtim kolektorësh, depo uji e shumë kontrata të tjera.
Ai pranoi se në vitin 2016 kishte tërhequr 114 milionë lekë të reja nga llogaritë bankare të firmës, shumicën për shpenzime operative.
“Pjesa dërrmuese ka shkuar nëpër objekte, rërë, naftë, fadroma. I kemi paguar nën dorë, se ashtu ishte atëherë,” – deklaroi Meta, duke përforcuar dyshimet për mungesën e transparencës në transaksionet e kompanisë. Nga jashtë gjithçka dukej si një histori suksesi e një elektrikisti shqiptar që e bën vetë.
Por brenda vetëm pak vitesh, firma e Eduard Metës u zhduk nga qarkullimi. Në 2017, ai shiti 75% të aksioneve për vetëm 75 lekë.
“Doja të largohesha nga aktiviteti dhe të hapja një palestër. Aksionet ia kalova një personi që m’u prezantua si i interesuar, Muhamet Petriti.”
Më vonë, administrator i firmës u bë Nestor Muhametllari, një emër që Meta tha se “e njihte nga lokali. Ai vinte shpesh me Redi Mollën dhe Mariglen Qaton” tha ai.
SPAK thotë se të gjitha këto kalime ishin formale, pa transaksione reale dhe kishin si synim fshehjen e pronësisë së vërtetë dhe evitimin e përgjegjësisë penale. Në shumë tendera, kompania fitonte ndonëse nuk përmbushte kriteret teknike apo ligjore. Në disa raste, anëtarë të komisioneve të vlerësimit rezultuan më pas punonjës të kompanisë – një skemë e qartë konflikti interesi.
Emrat që përmendeshin “nën zë”

Inxhinierja Jona Bejko, një punonjëse e kompanisë, dëshmoi se merrej me përllogaritjen e kostove dhe përgatitjen e dokumentacionit për tendera publikë. Ajo përmendi se në komunikime të brendshme me shefen e financës, Jonida Hoxha, përmendeshin shpesh dy emra me inicialet R (Redi) dhe M (Mariglen), që flitej se ishin “pronarët e vërtetë” të kompanisë.
“Në komunikimet e brendshme me shefen e financës, Jonida Hoxha, përmendeshin emrat me inicialet R dhe M – që i referoheshin Redi Mollës dhe Mariglen Qatos. Ata nuk shfaqeshin në zyrë, por të gjithë e dinin që ishin pronarët e vërtetë,” tha ajo.
Bejko u shpreh se nuk i kishte parë ndonjëherë fizikisht ata në ambientet e firmës, por se në rrjedhën e punës kishte dëgjuar që ata ushtronin ndikim mbi vendimmarrjet.
Bejko përmendi gjithashtu përfshirjen e emrit “Lali Eri” në një bisedë private, por sqaroi:
“I referohej Erion Veliajt, por ishte koment emocional në një bisedë të brendshme. Nuk kam dijeni për përfshirjen e tij në ndonjë veprimtari.” – deklaroi inxhinjerja.
Seanca gjyqësore e së enjtes parashikonte edhe dëshminë e Alfred Qatos, një figurë kyçe në dosje dhe vëllait të tij Mariglen Qatos, por ai nuk u paraqit në sallë. Avokatët mbrojtës konfirmuan se ai nuk ishte në gjendje të dëshmonte dhe kërkuan shtyrjen për një datë të re.
Sipas dosjes së SPAK, kompania “5D Konstruksion” u përdor si një mjet për të përfituar nga fondet publike në mënyrë të paligjshme. Ajo rezulton të ketë fituar 32 tendera publikë, me një vlerë totale mbi 2.8 miliardë lekë, të dhëna nga institucione që lidheshin drejtpërdrejt me pozitat zyrtare të Mollës dhe Qatos.
Kompania ndryshoi disa herë pronësinë, duke kaluar nga Eduard Meta, tek Muhamet Petriti dhe më pas në vitin 2021 tek Nestor Muhametllari, mik i afërt i Redi Mollës.
SPAK thotë se të gjitha këto kalime ishin formale, pa transaksione reale dhe kishin si synim fshehjen e pronësisë së vërtetë dhe evitimin e përgjegjësisë penale. Në shumë tendera, kompania fitonte ndonëse nuk përmbushte kriteret teknike apo ligjore. Në disa raste, anëtarë të komisioneve të vlerësimit rezultuan më pas punonjës të kompanisë ,një skemë e qartë konflikti interesi.
Prej datës 9 korrik 2024, pas përfundimit të fazës hetimore, SPAK ka vendosur sekuestrimin e “5D Konstruksion” dhe projekteve të saj ndërtimore, duke dërguar dosjen për gjykim. Të pandehurit akuzohen për vepra të rënda penale si pastrim parash, shpërdorim detyre, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.