Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua këtë të hënë seanca e dytë gjyqësore për dosjen e njohur si afera “Partizani”. Ashtu si në seancën e parë në themel, edhe kjo u shty, për shkak të kërkesave të paraqitura nga mbrojtja ligjore e të pandehurve.
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, së bashku me avokatët e Jamarbër Malltezit, paraqitën një kërkesë për përjashtimin e trupës gjykuese. Sipas tyre, GJKKO nuk garanton paanshmëri në procesin gjyqësor, pasi gjykata ndodhet, siç u shprehën, “nën kontrollin e Prokurorisë së Posaçme”.
Kërkesa për përjashtim u paraqit nga Gjokutaj menjëherë pasi kryesuesja e seancës, gjyqtarja Elsa Ulliri, njoftoi se kërkesa e saj për t’u dorëhequr nga çështja ishte rrëzuar nga kryetari i Gjykatës së Posaçme.
“Kemi kërkesë për përjashtimin e trupës gjykuese nga përfaqësuesi im, Sali Berisha, për arsye objektive. Kërkojmë sigurimin e një trupe gjykuese të pavarur nga Prokuroria e Posaçme. Nuk është çështje integriteti, por mënyra se si është organizuar funksionimi i kësaj gjykate,” deklaroi Gjokutaj përpara trupës gjykuese.
Të njëjtën kërkesë e mbështetën edhe avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe të studios ligjore “Pustina”.
Në seancën e kaluar, studio “HomePlan”, një nga të pandehurit në këtë proces, ishte paraqitur pa përfaqësim ligjor. Sot, avokati Sokol Hazizaj, i cili mori përsipër përfaqësimin e kësaj studioje, kërkoi kohë për t’u njohur me aktakuzën.
“Jam njohur sot me kërkesën për përfaqësimin e ‘HomePlan’ dhe kërkoj kohë për të studiuar materialet,” tha Hazizaj në seancë.
Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, pas një vonese prej rreth 7 muajsh.
Ish-kryeministri Sali Berisha po gjykohet për akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, pasi dyshohet se, në kohën kur ishte në detyrë, ka ndërmarrë veprime ligjore dhe nënligjore që i kanë sjellë përfitime dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit.
Ndërkohë, Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një projekt ndërtimi, përmes vendimeve të favorizuara të qeverisë të asaj kohe.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.