Vitet e Berishës, nga “lideri demokracisë” në person “non grata”

Në 35 vite karrierë të vazhdueshme politike, Sali Berisha njohu ulje dhe ngritje, duke qenë pjesë thelbësore e përmbysjes së sistemit komunist, zhvillimit dhe rrënimit të vendit.

670
Sali Berisha ndër vite
Credits: shteg.org - Sali Berisha ndër vite

Atëkohë, më 8 dhjetor 1990, natën vonë, teksa studentët nisën protestën, Sali Berisha zbriti në Rinas pas një vizite jashtë vendit, ku mori pjesë në një konferencë shkencore në Itali në simpoziumin shkencor për “bio-genetikën”. Brenda katër ditëve, 8-12 dhjetor 1990, kardio-kirurgu Sali Berisha e sheh veten krah studentëve, përballë Ramiz Alisë si “ndërmjetës” dhe më pas kryetar i Partisë Demokratike.

Paradoksalisht, ndërsa ngjarjet që sollën ndryshimin u ngjizën nga studentët kundër regjimit komunist, mjeku i zemrës ishte në bordin e një avioni të rrallë që ulej e ngrihej në Rinas. Tashmë pas 35 vitesh karrierë politike në maja të pushtetit dhe opozitë, Berisha ndodhet nën hetim dhe i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Që nga janari i vitit 2023, Sali Berisha ish-president, kryeministër dhe aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale SPAK për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik e kryer në bashkëpunim”. Të njëjtin fat ka edhe dhëndri Jamarbër Malltezi, pasi sipas SPAK janë përfshirë në privatizimin abuziv të ish-kompleksit sportiv Partizani dhe më pas zhvillimin me ndërtimin e kompleksit të pallateve, përfitimi i të cilit sipas SPAK shkon në rreth 5 milionë euro, ku ka përfituar edhe familja Berisha.

Doktori politikan

Takimi i studentëve me Ramiz Alinë
Credits: LSA – Takimi i studentëve me Ramiz Alinë

Në moshën 80-vjeçare Berisha ka hesape të pambyllura me drejtësinë që ai e cilëson si “të kapur nga Rama”. Ndërsa çështjen “non grata” e justifikon me “lobimin e Xhorxh Soros”, dikur një mik i tij.

Në ditën e parë si politikan, në dhjetorin e largët 1990 Berisha nuk e kishte menduar këtë fund, sidomos pas një rrugëtimi 35 vjeçar në politikë. Koha duket e largët, atëherë kur “intelektualët” nuk njiheshin vetëm për vendet që frekuentonin, por edhe nga pardesytë gri të prodhuara nga “Kombinati i Tekstileve Stalin”.

Mëngjesin e 9 dhjetorit 1990, Berisha porositi kafe tek “vendi i intelektualëve” në hotel Tirana. Pak kilometra më larg, studentët kishin nisur grevat për kushte më të mira në konvikte për t’u kanalizuar shumë shpejt në kërkesën e pluralizmit politik. Kurioziteti e çon tek studentët, e bashkë më të ishte Besnik Mustafaj shkrimtar dhe regjisori Kujtim Çashku.

Dy ditë më vonë, do ndodhte takimi historik i studentëve me ish Presidentin Ramiz Alia, ku qeveria e kohës lejoi pluralizmin politik. Mes tyre ishte dhe Sali Berisha.

Më 12 Dhjetor krijohet Partia Demokratike dhe Berisha zgjidhet kryetar i saj, në një proces ende të dyshimtë, pasi Azem Hajdari që konsiderohej lideri i lëvizjes studentore, mënjanohet shpejt. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike fiton zgjedhjet.

Vitet e para ishin nisma të mëdha ligjore për kalimin nga ekonomi e centralizuar në private dhe tregun e lirë. Dështimin e parë Sali Berisha do e kishte disi të shpejtë. Vetëm dy vite pasi erdhën në pushtet, kaloi në referendum ndryshimet kushtetuese, të cilat u rrëzuan me votë popullore. Zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 shënuan shumë incidente dhe akuza të forta nga PS për manipulim të rezultateve.

Revoltat në Vlorë 1997
Credits: LSA – Revoltat në Vlorë 1997

Gradualisht Berisha dhe qeverisja e tij futen në një fazë autoritarizmi dhe rrënimi ekonomik.

Shumë kursime të shqiptarëve humbën në skemat e firmave piramidale, duke nxitur revoltë të madhe popullore. Shpërthimi i depove të armëve dhe kaosi i krijuar rrëzoi Berishën nga pushteti, i cili pranoi një qeveri teknike të drejtuar nga socialisti Bashkim Fino për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në qershor të vitit 1997 ku PD humbi. 

Dekada më vonë Berisha pranon fajin për atë kohë.

“Po të kishim pasur njohuri nuk do lejonim skemat piramidale. Po ashtu reforma e tokës nuk dha përgjigjen më të mirë të duhur, rruga që ndoqëm krijoi probleme serioze, në fshat jetonin 74% e shqiptarëve, sot do ta bëja me dy faza. Nuk ka sot arsye përse toka mos ishte e të zotit, ishte një reforme problematike” – pranon Berisha.

Në periudhën 1997-2005 Berisha qëndroi në krye të opozitës, duke bërë një kapërcim gati të paimagjinueshëm ku i larguari me armë, kthehet me votë në pushtet në zgjedhjet e vitit 2005.

Berisha dhe antarët e KOP
Credits: LSA – Berisha dhe antarët e KOP

Me moton “duar të pastra”, qeveria Berisha pati një 2-vjeçar të mirë në qeverisje, deri në momentin kur shpërtheu fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec. Bilanci ishte tragjik, 26 të vrarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Me kalimin e kohës u hodhën dyshime se në këtë çështje mund të ishte përfshirë djali i tij dhe ish-baxhanaku i cili fatkeqësisht qe një nga viktimat e shpërthimit.

Berisha mohoi çdo akuzë të ngritur nga opozita dhe gjithashtu eklipsoi prokurorinë në vitin 2008 duke lëshuar akuza, deri personale ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama.

Fiton një mandat të dytë qeverisës, por në koalicion me Ilir Metën. Arroganca e pushtetit, akuzat për korrupsion në nivele të larta, dyshimet për përfshirjen e fëmijëve të tij në afera kurruptive ishin arsye të mjaftueshme për zgjedhësit që Sali Berisha të humbte pushtetin në vitin 2013.

Pa u certifikuar zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve Sali Berisha tashmë në opozitë jep dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike, duke premtuar se do të ishte një deputet i thjesht, duke i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar brenda partisë.

Largimi i Berishës

Koha tregoi se Berisha nuk mbeti aspak një “deputet i thjesht” apo një “lider historik”. Me ndikimin e tij, Lulzim Basha bëhet kryetar i PD-së, duke mposhtur në një proces mëse të dyshimtë dhe të paracaktuar Sokol Olldashin. Berisha ishte po aty, paçka se vula qëndronte në kasafortën e Lulzim Bashës.

I përzgjedhuri i Berishës, humbet zgjedhjet në vitin 2017, në një rezultat katastrofik për PD-në. Kur të gjithë mendonin se “cikli Basha” kishte përfunduar, po me ndikimin e hijes së rëndë të Berishës ai zgjidhet sërish Kryetar i Partisë Demokratike. Gafat politike vijojnë me Bashën kryetar kur në mënyrë të beftë në shkurt të vitit 2019 merr vendimin që opozita të djegë mandatet e deputetëve, po ashtu bojkoton edhe zgjedhjet lokale të po atij viti.

Sërish PD njeh humbjen e radhës në vitin 2021. Përsëri Basha rizgjidhet kryetar, i cili shënoi rekorde personale si “kryetari unik” që humbje pas humbjesh sërish rizgjidhej, gjithnjë me aprovimin e Berishës i cili pak muaj pas zgjedhjeve të vitit 2021 do të pendohej për “besim me tepri” të dhënë ndaj Bashës, por këtë herë për një çështje mjaft personale.

Në maj të vitit 2021 Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken e shpall Berishën dhe familjen e tij person “non grata” me dyshimin për “korrupsion masiv dhe minues i demokracisë”.

Berisha sërish nuk tërhiqet, duke kaluar në sulm, teksa hap një proces gjyqësor në Francë kundër Blinken, një proces që u duk sikur nisi, por nuk ka fare proces të hapur, ndonëse Berisha pagoi shtrenjtë thjesht nismën. 

Berisha dhe mbështetësit e tij
Credits: LSA – Berisha dhe mbështetësit e tij

Partia Demokratike humbet sërish zgjedhjet, dhe Basha vendos të përjashtojë Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, vendim ky që çoi në krizë të thellë opozitën dhe riktheu Doktorin në krye të partisë, madje dhe me vendim gjykate.

Fitoi partinë po jo lirinë, pasi nga dhjetori 2023 vijon të jetë nën hetim për akuzën “korrupsion pasiv e kryer në bashkëpunim”.

Bashkë me këtë akuzë mbi supe i rëndojnë dhe vendimet “non grata” të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Gjithsesi, Berisha shpreson se me zgjedhjen e Donald Trump president të SHBA-ve do të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj tij, një nismë në fakt që është gati në kufijtë e së pamundurës, ku më shumë se kushdo tjetër e di vetë Berisha.

Por, deri në kohën kur gjykata të shprehet për fajësinë ose jo dhe administrata Trump të “lobohet” për heqjen “non grata” Berisha do ketë kohën e mjaftueshme që me veten të kujtojë në kohë trajektoren politike që nisi atë mëngjes të 9 dhjetorit në Qytetin Studenti, pas ardhjes nga Italia ku foli për “bio-genetikën”.

Investigative Journalist
Gazetare at  | [email protected] |  + posts

Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.