Më 3 dhe 7 korrik, Kryeministri Edi Rama zhvilloi vizita të befasishme në Bashkinë Vlorë, të cilat kulmuan me një “takim rrufe” që rezultoi në dorëheqjen kolektive të 21 drejtorëve të kësaj bashkie. Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh prerazi se nuk do të ketë kthim pas për zyrtarët e larguar, duke shtuar se edhe drejtues të tjerë rajonalë kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.
Por kjo ndërhyrje direkte e Kryeministrit në administrimin e një njësie të pushtetit vendor ka ngritur pikëpyetje serioze mbi respektimin e parimeve kushtetuese dhe të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Ekspertë të fushës e cilësojnë këtë veprim si një shembull të rrezikshëm të centralizimit të pushtetit në duart e ekzekutivit, në kundërshtim me frymën e decentralizimit që parashikohet nga ligji shqiptar.
Sipas ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, bashkitë gëzojnë autonomi të plotë administrative dhe financiare, dhe nuk janë të varura nga qeveria qendrore për çështje të brendshme të administrimit të tyre. Kontrolli mbi funksionimin e tyre ushtrohet vetëm nga institucione të përcaktuara si Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe jo nga ekzekutivi. Sipas ekpertëve, ndërhyrje të tilla jo vetëm që sfidojnë kufijtë institucionalë të pushteteve, por rrezikojnë ta kthejnë autonominë vendore në një formalitet bosh.
“Koka e turkut” në Vlorë

Me një bllok të zi në dorë, në shoqërinë e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Kryeministri Rama iu drejtua në mëngjesin e së enjtes, 3 korrik, godinës së Bashkisë Vlorë në një takim të panjoftuar.
Brenda dyerve të bashkisë dhe larg syrit të kamerave, Kryeministri realizoi takimin përreth 90 minuta, si rezultat i së cilës ishte largimi nga puna i 21 drejtorëve bashkiakë, duke nisur nga ai i financave, tek ai i Policisë dhe me radhë.
Gjatë së enjtes mungoi një reagim publik nga Rama, apo nga Bashkia Vlorë ku qytetarët të njoftoheshin rreth largimit masiv nga puna e drejtorëve, megjithatë një ditë më pas, më 4 korrik, Kryeministri iu drejtua ekranit të celularit të tij për një bashkëbisedim me ndjekësit e tij.
Sipas Ramës, përveç Vlorës takim për diskutimin e problematikave është zhvilluar gjatë së premtes, 4 korrik, edhe në Tiranë, por nuk do të ndalen me kaq.
Sipas tij, takime të tilla do të zhvillohen edhe në Bashkitë Fier, Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Ndërkohë që, cilëson si domosdoshmëri kthimin e deputetëve në terren ku mund të mbledhin shqetësime të qytetarëve, siç është dhe zënia e hapësirave publike.
“Hapësira publike është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzivizëm, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme dhe ka gjithëfarëlloj trarësh, gjithëfarëlloj pengesash të krijuara nga koha, që pengojnë seriozisht frymëmarrjen e qetë, të lirë të komuniteteve në blloqet e banimit”,- tha Rama, ndërkohë, gjatë ditës së sotme, 7 korrik, iu drejtua sërish godinës së bashkisëVlorë rreth së njëjtës orë, 10 e mëngjesit ku mbledhja zgjati për gati 50 minuta.
Më pas Rama iu drejtua “inspektimit” të lirimit të hapësirave publike nga bizneset në lagjen “Muradie”.
Këtë herë u shoqërua nga kreu i Bashkisë, Ermal Dredha, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Vlorë, Bledi Çuçi. Në një deklaratë për mediat, Rama konfirmoi dorëheqjet duke thënë se “nuk do të ketë rikthim”, dhe se ky ishte hapin e parë për “transformimi për Vlorën”.
Masat e ndërmarra nga Kryeministri në administrimin kanë ndritur shtetësimin e organizatave që monitorojnë pushtetin vendor.
Sipas nenit 10 të ligjit për vetëqeverisjen vendore (Ligji 139/2015), marrëdhëniet mes bashkive dhe qeverisë qendrore duhet të bazohen në parimin e bashkëpunimit dhe konsultimit, dhe jo në ndërhyrje direkte ose vendimmarrje nga lart-poshtë.
Agron Haxhimali, drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare thotë për “shteg.org” se ndërhyrja e Kryeministrit në punët e pushtetit vendor, sidomos në formën e kërkesës për shkarkimin e drejtorëve apo ristrukturimin e administratës vendore, përbën një shkelje të qartë të parimit të autonomisë së pushtetit vendor, i parashikuar në ligj.
“Bashkitë janë institucione të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët dhe kanë të drejtën të organizojnë administratën e tyre në mënyrë të pavarur, brenda kompetencave të përcaktuara me ligj”, – thotë Haxhimail duke shtuar se në Shqipëri pavarësia e pushtetit vendor shpesh vazhdon të mbetet formale.
Edhe Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, e drejtuar nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, reagoi ashpër. Në një deklaratë zyrtare, shoqata e konsideron ndërhyrjen e Kryeministrit në Vlorë si një praktikë të papranueshme që shkel parimin e ndarjes së pushteteve dhe rrezikon funksionimin demokratik të vetëqeverisjes vendore.
“Ndërhyrjet e përsëritura në Bashkitë e Tiranës dhe Vlorës përbëjnë një shqetësim serioz. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të respektojnë kufijtë kushtetues të përgjegjësive të tyre”, – thuhet në deklaratë.
Ndërhyrja e Kryeministrit Rama në punët e brendshme të bashkive nuk u ndal me “takimin rrufe” të së enjtes, e as me largimin e drejtorëve.
Nëpërmjet një postimi gjatë së shtunës, 5 korrik, në platformën “X” nëpërmjet një ultimatumi ai u la bizneseve 48 orë kohë për të liruar hapësirat publike të kthyera në vazhdimësi të bareve dhe lokale.
“Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!” – tha Rama.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, nuk ka dhënë ende një koment lidhur me veprimet që, sipas ekspertëve, bien në kundërshtim me rolin mbrojtës që ai duhet të ketë për autonominë e bashkive.
Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri tejkalon kompetencat e tij në rolin që ka pushteti ekzekutiv kundrejt atij vendor.
Më 11 shkurt, një ditë pas arrestimit të Erion Veliajt, Rama iu drejtua dy herë godinës së Bashkisë Tiranë, ku si rezultat i takimeve u vendos që kompetencat e Kryetarit t’i kalonin Anuela Ristanit, dhe jo Sara Goxhajt, siç kishte vendosur Veliaj.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.