Vota e diasporës na kushtoi 13 milionë Euro

Procesi i votimit jashtë vendit i kushtoi buxhetit të shtetit shuma rekord, ndërsa rinumërimet në 4 qarqe zbuluan manipulime dhe parregullsi që sollën ndryshime në rezultatin zgjedhor.

217
Ilirjan Celibashi, Kryetar i KQZ duke folur në një konferencë për shtyp
Credits: LSA - Ilirjan Celibashi, Kryetar i KQZ duke folur në një konferencë për shtyp

Zgjedhjet e 11 majit shënuan për herë të parë përfshirjen e diasporës shqiptare në votim, një proces që i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 13.4 milionë euro. Nga 245,935 zarfe të shpërndara në të gjithë botën, vetëm rreth 200 mijë u kthyen si vota të vlefshme. Kostoja e lartë, përfshirë dërgesat postare, reklamat dhe sistemet teknologjike, ka ngjallur debat për përfitueshmërinë reale të këtij operacioni në raport me ndikimin e tij në rezultatin elektoral.

Një nga pasojat direkte të procesit zgjedhor ishte rinumërimi i votave në katër qarqe të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier, si pasojë e parregullsive të konstatuara. Në qarkun Fier, u zbulua se votat ishin shpërndarë padrejtësisht mes kandidatëve të së njëjtës parti, çka ndikoi në ndryshimin e fituesit fillestar.

Kandidatja e PS-së, Zegjine Çaushi, e shpallur fillimisht fituese, humbi mandatin pas rinumërimit përballë Maldrita Bardhos me një diferencë prej 10 votash. Ndërkohë, zëvendësministri Ceno Klosi rezultoi me 831 vota më pak se sa i ishin numëruar fillimisht.

Rinumërimi i votave nxori në pah jo vetëm probleme sistemike në administrimin elektoral, por edhe tensione politike të brendshme dhe akuza për manipulim. Kandidatë të opozitës si Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha kërkuan rinumërim për shkak të gabimeve të rënda në regjistrimin e votave. Pavarësisht përpjekjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe një procesi të shtrenjtë rinumërimi me kosto shtesë prej 215 mijë euro, pritshmëritë për ndryshime të thella në rezultatin përfundimtar mbeten të ulëta.

Miliona euro për votën e diasporës

Kryeministri Edi Rama në një takim me diasporën
Credits: Facebook – Kryeministri Edi Rama në një takim me diasporën

Për herë të parë në 30 vitet e trazicionit politik diaspora shqiptare pati mundësinë të ushtronte të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, zarfet e votimit u shpërndanë në adresat e mbi 245 mijë migrantëve shqiptarë në botë, të cilët vazhdojnë të kenë pasaportën shqiptare përkrahë asaj të huaj, ose jetojnë dhe veprojnë në vendet pritëse në mënyrë të rregullt ligjore.

Megjithatë, sipas të dhënave të KQZ-së, nga 245 935 zarfet e votimit që iu dërguan shtetasve shqiptarë, vetëm rreth 200 mijë prej tyre u kthyen në Shqipëri si vota të vlefshme.

Shumica e fletëve të votimit u dërguan në Itali (37.1%) dhe Greqi (27.8%), ndërsa pjesa tjetër shkoi në Gjermani, SHBA dhe Britani.

Përmes një përgjigje zyrtare, KQZ ka bërë të ditur për “shteg.org” se buxheti i shpenzuar në total vetëm për mundësimin e votës së Diasporës është 13.4 milionë euro, një shumë që përfshinte mbi 9.3 milionë euro për postën ndërkombëtare, më shumë se 130 mijë euro për fushatën reklamuese dhe rreth 163 mijë euro për ngritjen e sistemit online.

Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, kostot për një votë të diasporës janë pesë deri në dhjetë herë më të larta sesa një votë e hedhur brenda vendit. Ai e cilëson këtë si një barrë të rëndë financiare, që nuk përputhet me kapacitetin aktual administrativ dhe logjistik të vendit, duke sugjeruar se modeli duhet rishikuar.

“Përvoja ndërkombëtare tregon se zgjedhjet e zhvilluara në nivel kombëtar zakonisht qysh prej një dekade më parë kushtonin në nivelin e 1-2 dollarëve amerikanë për një votues të regjistruar. Operacionet e votimit jashtë vendit shpesh kushtojnë të paktën 5 deri në 10 herë më shumë, varësisht nga mënyra se si një votues hedh votën, duke rezultuar në një kosto prej 5 deri në 20 dollarësh amerikanë për votues. Kjo mund ta bëjë votimin jashtë vendit tepër të kushtueshëm për shumë vende, sic edhe ndodhi në rastin e vendit tonë më 11 maj”, – thotë Preçi.

Por, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se një muaj nga zhvillimi i procesit të votimit, kutitë e votimit të qarkut Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier iu nënshtruan procesit të rinumërimit.

Deputete me vota të falura

Zegjine Çaushi deputete e PS-së
Credits: Facebook – Zegjine Çaushi deputete e PS-së

Pas ankesave të shumta nga opozita dhe disa kandidatë të mazhorancës, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve urdhëroi rinumërimin e votave në katër qarqe.

Në qarkun Fier procesi i rinumërimit të votave u mbyll gjatë ditës së djeshme, 2 korrik 2025, ndërkohë që rinumërimi përfshiu 587 qendra votimi dhe rezultoi se kandidatë të Partisë Socialiste kanë marrë vota nga njeri-tjetri në mënyrë jo të rregullt.

Kandidatja e PS-së, Zegjine Çaushi pas 11 majit ishte një nga kandidatet fituese të PS-së në këtë qark, por gjatë rinumërimit rezultoi se asaj i ishin numëruar padrejtësisht 48 vota, ndërkohë që garueses rivale të Çaushit brenda PS-së, Maldrita Bardho i ishin hequr padrejtësisht 26 vota. 

Korrigjimi i këtyre shifrave ndryshoi rezultatin përfundimtar. Megjithatë, Bardho vendosi të mos e pranonte mandatin, duke e cilësuar Çaushin si më të denjë për përfaqësim.


“Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi – Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën sesa për veten gjatë kësaj fushate, duke u vënë në shënjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër, ajo që ka frikë nga zërat e rinj. Zegjinesë, me të cilën më ndajnë vetëm 10 vota, dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit.” – deklaroi Maldrita Bardho.

Megjithatë, ky vendim u cilësua nga komentuesit si një akt papërgjegjshmërie politike, për shkak të mungesës së qartësisë rreth mënyrës ligjore të dorëzimit të mandatit pas certifikimit.

Zegjine Çaushi njihet më tepër për përplasjet e saj publike me kandidatin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sesa për angazhimin në strukturat e PS-së. Ndërsa Maldrita Bardho ka një profil më të ulët publik dhe aktivitet të kufizuar në rrjetet sociale, postimin e saj të parë në Facebook e bëri më 12 mars 2025, ditën e shpalljes së listës së kandidatëve të PS-së. Ajo është parë kryesisht duke ripostuar përmbajtje të ministres Balluku, e cila gjithashtu garonte në Fier.

Një tjetër kandidat socialist, Ceno Klosi, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, rezultoi se kishte përfituar në mënyrë të parregullt 831 vota. Fillimisht iu numëruan si të vlefshme 16,638 vota, por pas rinumërimit rezultuan 15,807.

Procesi i rinumërimit të votave
Credits: LSA – Procesi i rinumërimit të votave

Nga ana tjetër, në Tiranë dhe Durrës, kandidatët e opozitës denoncuan manipulime që sipas tyre kanë ndikuar ndjeshëm në renditje, siç ishte rasti i Ilir Alimehmetit, i cili humbi një mandat me një diferencë të ngushtë pas raportimit të gabuar të dhjetëra votave.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë dhe përfshin 2,323 kuti votimi, nga të cilat 85 i përkasin diasporës. Ai po realizohet nga 24 grupe numërimi dhe pritet të zgjasë deri në fund të korrikut. Kostoja e këtij procesi është llogaritur në rreth 215 mijë euro, duke përfshirë pajisjet teknike, sistemin e transmetimit online, logjistikën dhe materialet ndihmëse.

Pavarësisht volumit të punës dhe shpenzimeve, pritshmëritë për ndryshime të rëndësishme në balancën e mandateve mbeten minimale. Partia Socialiste vijon të mbajë shumicën e saj në Kuvend, ndërkohë që opozita i sheh këto zhvillime si tregues të një sistemi zgjedhor të cënuar.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.