Vrasja e 14-vjeçarit, protestë para ministrisë së Arsimit

Qindra qytetarë protestuan sot kundër vrasjes së 14-vjeçarit M.C nga bashkëmoshatari i tij, pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Mesazhi i ndjerë i prindërve të fëmijës së vrarë dhe kërkesat e protestuseve ndaj ministres së Arsimit.

864
Vrasja e 14-vjeçarit, protestë para ministrisë së Arsimit
Credit: LSA

Qindra qytetarë morën pjesë sot në protestë kundër vrasjes së 14-vjeçarit M.C, katër ditë më parë, ngjarje e ndodhur pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Protestuasit nisën marshimin e heshtur nga shkolla drejt Ministrisë së Arsimit. Me pankarta në duar dhe foto të fëmijës së vrarë me thikë nga një tjetër bashkëmoshatar, protestuesit kërkuan më shumë siguri si në ambientet e shkollave ashtu edhe në rrugë dhe kudo tjetër.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë pas një boshllik që nuk do mbushet kurrë. Falenderoj të gjithë popullin shqiptar dhe FSHF për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan dhimbjen. I falenderoj të gjithë nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ia morën të dyja. Uroj që askush të mos e provojë” – ishte mesazhi i Florina dhe Angel Canit, prindërve të 14-vjeçarit që u lexua nga një e afërmja e tyre.

Pjesëmarrës në protestë të cilën mbajtën fjalën theksuan se përgjëgjësia për këtë krim është veçanërisht e institucioneve shtetërore të cilët duhet të reagojnë për të parandaluar ngjarje të tilla që fatkeqësisht kanë ndodhur duke u mbyllur tragjikisht deri në humbjen e jetëve.

“Qytetarët, prindërit, nxënësit që sot janë këtu, duhet të japin një mesazh të fortë e të menjëhershëm. Duhet të ndërgjegjësohemi e të edukojmë fëmijë të denjë. Siguria e fëmijëve tanë nuk pret. Ndaj vendi ynë ka institucione, shkolla duhet të edukojë fëmijët para se siç shohim shpesh të kthehen në vatra votash e punësimesh”, tha Migen Qiraxhi nga Qendresa Qytetare.

Në fund të protestës u lanë dy kërkesa kryesore siç është: dorëheqja e ministres së Arsimit dhe shtimi i buxhetit për sektorin arsimor në masën 5 % të prodhimit të brendshëm kombëtar. Sipas protestuesve nëse nuk ka reagim nga ministrja dhe qeveria, të hënën do të vijojë sërish protesta.

Sebi Alla
Website |  + posts

Sebi Alla është gazetar me një ekperiencë të gjatë në median e shqiptare.

Alla ka punuar që nga viti 2000 në median e shkruar, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi si dhe ka kryer një sërë hulumtimesh.

Gjithashtu ai ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa media të shkruara në Shqipëri.

Alla ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës.