Rreth orës 3 të pasdites, nën ritmet e melodisë orientale, besimtarë të besimit Islam u mblodhën përreth xhamisë së Namazgjasë, duke pritur çeljen e dyerve të saj pas prerjes së shiritit të inagurimit nga Kryeministri Edi Rama nën prezencën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kreu i shtetit që mundësoi financiarisht ndërtimin e objektit të kultit për besimtarët muslimanë të Shqipërisë.
Xhamia e Namazgjasë, e quajtur edhe si Xhamia e Madhe e Tiranës, tashmë është xhamia më e madhe në gadishullin Ballkanik, kostoja totale e së cilës ka shkuar deri në 30 milionë euro. Ajo është ndërtuar në një sipërfaqe prej mbi 10 mijë metrash katrore dhe ka kapacitet hapësinor për t’u falur 5 000 besimtarë. Në brendësi të saj, përveç sallës së koncerteve, ambjenteve të shërbimit, qendrës kulturore do të gjendet edhe muzeu i parë Islam në rajon.
Ndonëse xhamia më e madhe e vendit ndodhet pak metra larg Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH) kryetari i saj, Bujar Spahiu nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes, pas sulmeve të Presidentit turk që prej vitesh i akuzon drejtuesit e KMSH-së si “gynelistë” (përkrahës së klerikut Fetullah Gylenit, dikur aleat me Erdogan, dhe tashmë i cilësuar si armik dhe terrorist prej tij).
Besimtarët shqiptarë, të trevave të ndryshme të rajonit u kthyen në “dëshmitarë” të hapjes së këtij objekti kulti, për të cilin u deshëm 10 vite kohë për ta ndërtuar dhe inaguruar që nga 27 nëntori i vitit 2014 kur Këshilli i Ministrave dha lejen për ndërtim.
Përveç dialekteve të ndryshme të gjuhës shqipe, çfarë tërhiqte vëmendjen e një vëzhguesi dhe dëgjuesi ishte dhe fjala “Ejvallah!”- që përsëritej hera-herës nga i njëjti zë disi i mbytur.
“Ejvallah!”, në shqip: “Faleminderit!”- ishte përgjigjja e të vetmit tregtar ambulant, i cili teksa qëndronte i ulur përballë xhamisë me një plis me shqiponjën kombëtare në kokë, shiste me dhjetëra flamuj turq për besimtarët, ndërkohë që nuk mund t’i ofronte blerësve as edhe një flamur shqiptar. Ndër të pranishmit në ceremoninë çelëse, ishin edhe nxënës të shkollave të Fondacionit Mariff. Të veshur me uniformën e shkollës, ata qëndorin në rreshtin e parë të hapësirës të kufizuar me hekura mbrojtës, përpara kalimit të kontrollit nga turpa e sigurisë shqiptare dhe turke.
“Odisea” e xhamisë në Namazgjasë

Presidenti i Republikës së Turqisë, Erdogan ka qenë disa herë i pranishëm në xhaminë e Namzgjasë, dhe secila herë është shoqëruar me mesazhe të ndryshe përsa i përket marrëdhënieve të dy popujve, që për 5 shekuj kanë jetuar nën Perandorinë Otomane. Më 13 maj të vitit 2015, Ish-Presidenti Bujar Nishani dhe Presidenti Erdogan ishin të pranishëm në hedhjen e themelit të kësaj xhamie. Në atë kohë, Erdogan u shpreh se ky objekt kulti do të ndërtohej me kontributin dhe ndihmën e popullit turk. “Afërsia e kësaj xhamie me kishën, dhe prania e muzeut të bashkëjetesës, i cili do të ndërtohet pranë kësaj xhamie, tregon diversitetin dhe harmoninë në Shqipëri”,- tha më 2015 Erdogan-i, që askokohe u nderua nga ish-presidenti Nishani me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.
Më 23 tetor të po të njëtit vit, 2015, KMSh-ja deklaroi se kishte nisur faza e dytë e ndërtimit të xhamisë, që do të ndërtohej nga firma turke KOMASH dhe do të mbikqyrej nga ekspertë dhe inxhinierë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në atë kohë theksohej se xhamia do të ishte gati për besimtarët pas 36 muajve, pra, pas 3 viteve. Megjithatë, çelja e saj në vitin 2019 nuk u realizua, ndonëse sipas Ish- Kryetarit të KMSH-së, Skënder Bruçaj 5 vite më parë punimet thuajse kishin përfunduar.
“Burokratët në Ankara nuk e donin këtë dorëzim dhe mosdorëzimi i saj ishte pjesë e përpjekjeve disa vjeçare për të fituar kontroll mbi KMSH-në,” u shpreh ai, duke theksuar se ndërhyrja e një institucioni të huaj, apo të një shteti të huaj në punët e brendshme se si menaxhohet jetesa fetare në një vend tjetër, përveç se është shkelje e të drejtave të njeriut dhe të Kushtetutës së Shqipërisë, bie në kundërshtim edhe me filozofinë Islame.
Ndonëse zyrtarisht Komuniteti Mysliman Shqiptar ka refuzuar të flasë për mediat rreth kësaj çështje, në faqen zyrtare ka informuar ndjekësit se gjatë inagurimit do të përfaqësohej nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja. Ky i fundit do të jetë dhe kryetari i bordit të fondacionit të përbashkët midis KMSH-së dhe palës tjetër që do të administrojnë në vijim xhaminë. Megjithatë, ende ky fondacion nuk është krijuar.
Më 7 tetor, imami me kombësi turke, Enes Bastur ka bërë me dije nëpërmjet një postimi në rrejtin social Facebook se i është besuar drejtimi i kësaj xhamie.
Në vendin tonë, aktualisht janë disa imamë turqë të cilët ndihmojnë në kurse dhe në lexim të Kur’an-it, por jo në ligjërime të drejtpërdrejta me besimtarët.
Gjatë intervistës për “Shteg.org”, Ylli Mazari, ish-funksionar i lartë i KMSH-së prej 12 vitesh, u shpreh se kryetari aktual i KMSh-së duhej të ishte i pranishëm në inagurim, ndërkohë që pyetjes së mosftimit të tij iu përgjigj: “Në shtëpinë tënde, në shtetin tënd nuk duhet të presësh ftesë, por të shkosh të ballafaqohesh me ngjarjen”.
Gjatë viteve të fundit, Ankaraja i ka kërkuar shtetit “pastrimin e mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, mbështetës së klerikut Fetullah Gylen ( cilësuar përgjegjës për organizimin e grushtit të shtetit në korrik të 2016 në Turqi) nga Shqipëria.
Në shkurt të këtij viti, gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Turqi, Presidenti turk ritheksoi se pjesë e agjendës shqiptaro-turke është dhe “pastrimi i mbetjeve FETO në Shqipëri”. Sipas tij, mbështetës së kësaj organizate vazhdojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri me qëllim për të hedhur hije në marrëdhëniet dypalëshe midis shteteve.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”– u shpreh gjatë muajit shkurt Presidenti turk.
Marrëveshjet ndër vite …

Kërkesat e herëpashershme të Presidentit Erdogan për “pastrimin” e mbështetësve të Fetullah Gylenit në Shqipëri janë shoqëruar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dypalëshe midis shteteve, mes të cilave dhe mbrojtja e njëra-tjetrës në rast kërcënimi të sovranitetit.
Në vitin 2015, që përkon me nisjen e punimeve të xhamisë, midis ish-ministrave të Ekonomisë së dy shteteve, Arben Ahmetaj dhe Nihat Zeybecki, u zgjerua marrëveshja për “Tregtinë e Lirë” e cila është nënshkruar në vitin 2006 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2008.
Sipas kësaj marrëveshjeje, nuk do të zbatohej asnjë tarifë doganore mbi mallrat e importuara apo të eksportuara midis dy vendeve. Sipas të dhënave nga Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë, një vit më pas, më 2016-ën importet nga Turqia përbënin 7.9% të totalit, ndërkohë që Shqipëria eksportonte drejt shtetit turk 1.2% të eksporteve në total.
Pjesë e marrëveshjes është dhe bashkëpunimi i palëve në shkëmbimin e informacionit në fushën e standartizimit, metodologjisë, vlerësimit të konformitetit dhe akreditimit me synimin e eliminimit të barrierave teknike të tregtisë. Pas 5 vitesh, më 2021-shin, importet nga Turqia përbënin 10.8% të totalit, ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT, gjatë peridhës janar-gusht të këtij viti, Turqia renditet në parterin e dytë tregtar të Shqipërisë duke zënë 8.1% të vëllimit. Thënë ndryshe, të ardhurat nga eksportet drejt Turqisë shkojnë deri në 2.7 miliardë lekë.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës, midis dy shteteve u arrit “Marrëveshja e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Banesave pas Katastrofës”, e cila përfshinte ndërtimet në qytetin e Laçit të 522 banesave, 37 njësive tregtare dhe parkingut të mbyllur me kapacitet për 375 automjete, me ndihmën e Turqisë.
Kjo marrëveshje u shoqërua me të tjera, të cilat janë të fokusuara në bujqësi, ekonomi dhe kulturë. Në vitin 2022, ministritë e Jashtme përkatëse nënshkruan marrëveshjen e shkëmbimit të informacioneve nga protokollet përkatëse, si dhe realizimin e programeve të ndërsjellta trajnimesh.
Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me bashkëpunimin e shteteve në rastet e emergjencave civile, me bashkëpunimin në stabilitetin e një mjedisi paqësor midis vendeve, të cilat përveç respektimit të sovranitetit dhe të interesit të të dyja palëve, kanë mundësinë e shkëmbimit të personeleve apo të të arsimuarve në Akademinë e Policisë.
Në fushën e kulturës dhe të informaciot u arrit marrëveshja e shkëmbimit të informacioneve dhe artikujve midisë Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe agjencisë turke, Anadolu Agjenci, si dhe bashkëpunimi I Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me Ministrinë e Kulturës së Turqisë për vendosjen në skenë të shfaqeve të përbashkëta.
Krahas dhurimit të dronëve kamikazë, ardhja e Erdogan në Shqipëri ditën e djeshme u shoqërua me firmosjen e tre marrëveshjeve, të cilat përfshijnë bujqësisë, informacionin dhe arsimin. Në arsim u nënshkrua hapja e një dege në universitetin Polioteknik të Tiranës nga Universiteti Teknik i Stambollit.
Në Shqipëri mund të aplikohet modeli ekonomisë turke të subvencioneve në bujqësi. Në rast se të mbjellurat do të dëmtohen, fermerëve shqiptarë do t’i subvencionohet 50% e dëmit ekonomik të shkaktuar.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij ditën e djeshme Presidenti Erdogan deklaroi se midis dy shteteve po vazhdojnë përpjekjet për të rritur vëllimin tregëtarë deri në 2 milionë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtarëe të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në vendin tonë ushtrojnë veprimtarinë ekonomike 600 kompani turke, ndërkohë ndër vite numri i shtetasve turqë që janë pajisur me lejeqëndrimi në vendin tonë është rritur. Gjatë periudhës 1 janar 2022-1 janar 2023, sipas të dhënave që Ministria e Brendshme ka vendosur në dispozicion të “Shteg.org”, ishin 779 shtetasit turq të pajisur me lejeqëndrimi në vend, ndërkohë që numri i tyre është rritur deri në 1135 leje qëndrimi në periudhën 1 janar 2023-1 janar 2024.
Xhamia e Namazgjasë u përurua ditën e enjte, 10 Tetor 2024. Shiriti i inagurimit u pre nga Presidenti turk, Erdogan dhe Kryeministri Rama
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.