SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka finalizuar një operacion kundër një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Operacioni, i cili rezultoi me arrestimin e 12 personave dhe vendosjen në hetim të lirë të 8 të tjerëve, ka ndodhur pas muajsh hetimesh të hollësishme të zhvilluara mes organeve ligjzbatuese të të dy vendeve.
Në Shqipëri, policia ka vënë në pranga pesë persona: Shkëlqim Pashja, Igli Dervishi, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha, të cilët do të ekstradohen drejt Italisë për të u përballur me drejtësinë italiane. Të arrestuarit dyshohen si anëtarë të një organizate të strukturuar, e cila kishte krijuar një rrjet kompleks të trafikimit të lëndëve narkotike, duke përfshirë importin, magazinimin, shpërndarjen dhe mbledhjen e fitimeve të përfituara nga shitja e kokainës.
Operacioni përfshiu kontrolle intensive në Shqipëri dhe në disa provinca italiane, si Brescia, Milano, Torino, Verona, Bolzano, Cremona, Novara, Pavia, Trento dhe Treviso. Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan prova të shumta që konfirmojnë përfshirjen e të dyshuarve në veprimtari kriminale.
Zbulimi i organizatës dhe hetimet
Hetimet për këtë organizatë nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, kur u evidentua një rritje e shpërndarjes së kokainës në zonën Lago di Garda në Itali. Pas vëzhgimeve dhe operacioneve të fshehta, autoritetet italiane dhe shqiptare, në bashkëpunim me agjencinë europiane EUROJUST, krijuan një skuadër të përbashkët hetimore, e cila mundësoi zbulimin e rrjetit kriminal.
Organizata kriminale ishte e strukturuar në një formë hierarkike, ku drejtimin e saj e mbanin dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, me inicialet G.P. dhe Sh.P. Ata drejtonin një grup të besuar bashkëpunëtorësh në Itali, të cilët merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe transferimin e fitimeve në Shqipëri përmes transportit rrugor.
Organizata kishte një strukturë komplekse dhe efiçiente, duke mbuluar të gjitha fazat e trafikimit, nga importi i kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut, magazinimi në zona të sigurta në Itali, shpërndarja në qytete të ndryshme dhe transferimi i fitimeve financiare përmes shoferëve të autobusëve të linjës Brescia-Elbasan. Trafikantët përdornin teknologji të avancuar, si telefonat e kriptuar, për të shmangur ndjekjen nga autoritetet.
Një nga goditjet më të rëndësishme ndaj organizatës u dha në vitin 2021, kur një prej anëtarëve u arrestua me një sasi prej 350 kilogramë kokainë, e cila ishte duke u transportuar drejt Evropës. Ky arrestim ishte një nga hapat vendimtarë që ndihmoi hetuesit të kuptonin skemën dhe metodologjinë e punës së organizatës kriminale.
Gjatë hetimeve, u zbuluan udhëtime të shpeshta të drejtuesve kryesorë të organizatës në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, ku zhvillonin takime me furnizuesit e kokainës. Organizata kishte lidhje të ngushta me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut dhe përdorte metoda komplekse të fshehjes së drogës në kontenierë të ngarkuar me produkte të ligjshme.
Hetuesit gjithashtu evidentuan se organizata kishte arritur të operonte për disa vite pa u zbuluar, falë masave të rrepta të sigurisë dhe infiltrimeve të kujdesshme në rrjetet e shpërndarjes.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.