Elbasani dhe Durrësi janë dy bashkitë me riskun më të lartë elektoral në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, sipas raportit më të fundit të Institutit të Studimeve Politike (ISP), i cili ka publikuar Hartën e Riskut Elektoral për këtë proces. Të dyja bashkitë rezultojnë me koeficient risku 87%, duke u renditur në krye të listës për shkak të ndërhyrjes së grupeve të strukturuara kriminale, ndikimit informal mbi kandidatë dhe parti, si dhe rrezikut të manipulimit të votës në shkallë të gjerë.
Raporti “Harta e Riskut Elektoral 2025”, evidenton se shkaktarët kryesorë të kësaj situate janë ndërthurja e lidhjeve klienteliste, korrupsioni në nivele të larta, përfshirja direkte e grupeve kriminale, trafikimi i votës dhe dominimi i individëve me fuqi të madhe ekonomike mbi kandidaturat dhe partitë.
Sipas drejtorit të ISP-së, Afrim Krasniqi, kjo situatë është produkt i një dekade ndikimi informal të strukturave kriminale brenda sistemit politik.
“Që prej vitit 2015 kur nisëm monitorimin, kemi parë se grupe të inkriminuara kanë arritur të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhje. Pasi kanë arritur sukses në të kaluarën, tani ato janë më të motivuara dhe më të sofistikuara,” – thekson Krasniqi.
Sipas tij, Shqipëria ende nuk ka arritur pjekurinë politike për të kaluar nga një politikë e bazuar në pragmatizëm të lidhur me interesa kriminale, në një politikë të mbështetur te vlerat, vizioni dhe programi elektoral.
Përtej Elbasanit dhe Durrësit, bashkitë si Dibra, Lezha, Kurbini, Shkodra dhe Fieri ndajnë të njëjtin profil rreziku. Në këto zona, ekzistojnë individë dhe grupe in-formale që për vite me radhë kanë devijuar vullnetin elektoral përmes presionit, blerjes së votës apo rrjeteve të patronazhimit.
Raporti nënvizon se një pjesë e madhe e kandidatëve për deputetë përfaqësojnë interesa të dyfishta – nga njëra anë ato të partive, dhe nga ana tjetër interesa të fuqishme ekonomike apo kriminale.
Një prej shqetësimeve kryesore mbetet simbioza mes politikës dhe krimit. Kur një grup kriminal mbështet një parti politike, kjo e fundit, shpeshherë, i garanton akses në burime shtetërore, mbrojtje ligjore dhe ndikim institucional.
“Ky është thelbi i korrupsionit elektoral në Shqipëri, cdo bashkëpunim mes krimit dhe politikës është një mekanizëm i strukturimit të pandëshkueshmërisë.”- thotë Krasniqi.
Një përjashtim në këtë panoramë përbën bashkia e Himarës, e cila ka specifika të veçanta të lidhura me zgjedhjet e fundit lokale. Megjithatë, edhe aty, ndikimi i grupeve in-formale dhe rasti i kandidatit të arrestuar Fredi Beleri – i cili fitoi zgjedhjet ndërsa ndodhej në paraburgim për blerje votash – tregon se problemi nuk kursen as bashkitë e vogla.
Instituti i Studimeve Politike nënvizon se shumë prej kandidatëve për deputetë nuk përfaqësojnë më vullnetin e qytetarëve apo programet partiake, por janë shprehje e interesave të fuqishme ekonomike dhe rrjeteve informale. Në disa zona, ndikimi i parave të pista dhe votës klienteliste është më i fuqishëm se vetë strukturat zyrtare partiake.
Ndërkohë, edhe vota e diasporës po perceptohet si një hallkë e dobët e sistemit. Për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e institucioneve si KQZ dhe Prokuroria, votat e emigrantëve mbeten të ekspozuara ndaj manipulimeve.
Ndryshimet teknike të vitit 2020, që përfshinë futjen e listave të hapura dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, e kanë bërë garën edhe më të ashpër dhe të fragmentuar.
Megjithëse Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa për të parandaluar fenomenet e krimit zgjedhor, përfshirë ngritjen e Task-Force me struktura të dedikuara për zgjedhjet, ekspertët mbeten skeptikë.
Por sipas Afrim Krasniqit, “nuk është nevoja të hetohet gjithçka, por të goditen rastet më flagrante për të dhënë një mesazh të fortë parandalues.”
Raporti nënvizon se rritja e riskut elektoral nuk është një fenomen i rastësishëm, por pasojë e mungesës së transparencës politike, dobësisë institucionale dhe tolerimit të gjatë ndaj grupeve të paligjshme që veprojnë në prapaskenë.
“Nëse synimi ynë është të kemi një Shqipëri më demokratike dhe më të drejtë, atëherë çdo votë duhet të jetë e lirë, çdo garë duhet të jetë e ndershme, dhe çdo shkelje duhet të marrë përgjigjen e duhur ligjore,” – përfundon raporti i ISP-së.
Praktikante-gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.