Kur kutitë e votimit u mbyllën në mbrëmjen e së dielës, ajo që mbeti pas nuk ishte vetëm një proces elektoral i paplotë, por edhe një pasqyrë e qartë e krizës së pjesëmarrjes qytetare në demokracinë shqiptare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte ende një raport të plotë as 12 orë pas përfundimit të votimeve, por të dhënat paraprake sugjeronin një pjesëmarrje prej vetëm 42.2% të votuesve nga lista e brendshme prej 3.47 milionë emrash. Kjo do të thotë se rreth 1.46 milionë qytetarë votuan – një rënie prej 200 mijë votash në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Në sfondin e kësaj pjesëmarrjeje të ulët, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama kërkon një mandat të katërt historik. Me sloganin “Shqipëria në 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, socialistët kanë zhvilluar një fushatë të përqendruar kryesisht në rrjetet sociale – një mjet që nuk monitorohet nga autoritetet zgjedhore. Premtimi për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE në vitin 2030 është cilësuar nga shumë analistë si një utopi politike, duke qenë se ky është një vendim që i takon 27 vendeve anëtare të bllokut dhe jo vetëm qeverisë shqiptare.
Në kampin opozitar, Sali Berisha rikthehet në skenën politike në kushte të paprecedenta. I shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, Berisha jo vetëm që ka fituar kontrollin e Partisë Demokratike pas përçarjes së gjatë, por edhe ka angazhuar një ish-këshilltar të fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita, për të ringjallur një mesazh populist me thirrjen “Ta bëjmë Shqipërinë përsëri të madhe”. Megjithatë, ai përballet aktualisht me akuza për korrupsion dhe pastrim parash në Shqipëri, që i ka mohuar.
Risia e zgjedhjeve të 11 majit ishte përfshirja e diasporës shqiptare për herë të parë me votim postar. Nga 3.71 milionë votues me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, 245,935 shtetas janë regjistruar për të votuar nga jashtë, ndërsa 114,642 janë votues për herë të parë. Ekspertët janë të ndarë mbi ndikimin e diasporës në rezultat, por ka gjasa që përfshirja e saj mund të ndihmojë partitë e vogla dhe kandidatët alternativë.
Në total, 2046 kandidatë – prej të cilëve 787 gra dhe 1259 burra – garojnë për 140 ulëset e Parlamentit të Shqipërisë. Ata përfaqësojnë 11 subjekte zgjedhore, mes tyre 3 koalicione dhe 8 parti politike. Në ditën e votimit u hapën 5.225 qendra votimi në të gjithë vendin.
Sistemi zgjedhor shqiptar përdor formulën D’Hondt, e cila favorizon partitë më të mëdha. Në zgjedhjet e vitit 2021, mesatarisht duheshin rreth 12 mijë vota për të siguruar një mandat deputeti. Por për shkak të votave të pavlefshme dhe atyre që shkojnë te partitë që nuk fitojnë mandate, partitë kryesore e kanë fituar një mandat me më pak vota – PS me rreth 10,400, PD me 10,600, ndërsa PSD-ja e Tom Doshit, për shembull, siguroi 3 mandate me mesatarisht 11,800 vota. Lëvizja Socialiste për Integrim, që më pas u bë Partia e Lirisë, fitoi katër mandate me mesatarisht 27 mijë vota për mandat, duke dëshmuar se votat e shpërndara jashtë strukturave të mëdha shpesh rezultojnë më pak efektive në prodhimin e deputetëve.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja reale në votim ka një ndikim vendimtar për përllogaritjen e mandateve në çdo qark. Rënia e popullsisë aktive është gjithashtu një faktor: sipas Censit të vitit 2023, Shqipëria ka rreth 500 mijë banorë më pak se në vitin 2011 – çka tregon për një rënie vjetore të popullsisë votuese me rreth 30 mijë vetë në vit.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.