Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua, të hënën 3 shkurt 2025, seanca gjyqësore e radhës ndaj të pandehurit Altin Hajri, i dyshuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës.
Para trupit gjykues dëshmuan Alfred Komishta, Enxhi Kasa dhe Agron Proshka, ndërsa mungesa e disa dëshmitarëve çoi në shtyrjen e seancës për datën 17 shkurt 2024.
Ish-e dashura e Festim Bexhdilit, Enxhi Kasa, dëshmoi para trupit gjyqësorë dijeninë e saj për ngjarjen e janari të vitit 2020.
“Festimi më telefonoi dhe kërkoi disa ndërresa më të rehatshme, ishte në shtëpinë e tezes së tij, në Kavajë. Me të mbërritur për 15 minuta mbërriti policia na morën të dyve.” – deklaroi ajo duke treguar edhe lidhjet që ish i dashuri i saj kishte me Hajrin.
“Lidhja jonë ishte familjare, Festimi ka punuar kopshtar dhe ndonjëherë merrej me pjesën e furnizimeve te kompleksi “Golden”, me pronar Altin Hajrin. Dhe për të vetmin koleg që më kishte folur është Olsi Turja,” – vijoi Kasa.
E pyetur për ditën e ngjarjes së zhdukjes së Jan Prengës, ajo beson fjalët e Bexhdilit dhe se sipas saj ai ishte i shqetësuar nga ajo çfarë kishte ndodhur.
“E pyeta atë ditë që doli në lajme dhe me tha se di nuk kam dijeni, e besova që nuk kishte dijeni sepse mu betua. Më tha mos më pyet më sepse jam i rënduar nga lajmet, ma preu shkurt.” – tregoi vajza.
Deklaratat e Enxhi Kasës në gjykatë u kundërshtuan nga prokurori i çështjes i cili kërkoi që të përfshihen në procesin e hetimit gjyqësor deklaratat e saj të mëparshme në prokurori, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata.
Festim Bexhdili dhe Olsi Turja janë të vetmit që u përballen me gjykatat në vend si të dyshuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Jang Prenga.
Festim Bexhdili u arrestua më 27 janar 2020 në shtëpinë e tezes së tij, ku dhe ishte fshehur.
Për këtë arsye, para togave të zeza ishte thirrur për të dëshmuar Agron Proshka, bashkëshorti i tezes së Festimit.
Proshka dha detaje, duke konfirmuar se Festim Bexhdili, djali i motrës së gruas së tij, kishte ardhur në shtëpinë e tij pasdite rreth orës 15:00-16:00. Ai theksoi se e kishte pritur si mik dhe nuk kishte dijeni për ndonjë ngjarje kriminale. Sipas tij, biseda e tyre kishte qenë për çështje familjare, dhe më pas policia erdhi për ta marrë Festimin. Proshka shtoi se Festimi kishte lidhje miqësore me djemtë e Bajramit dhe me Altin Hajrin.
Procesi i vijimit të dëshmitarëve u ndërpre gjatë seancës për shkak se shumica e dëshmitarëve nuk rezultonin të pranishëm në sallë.
Gjatë seancës së sotme pritej të dëshmonin dhe të afërmit e Jang prengës, por sa u deklarua në sallën e gjyqit asnjë prej tyre nuk ndodhej në Shqipëri.
Mungon Dritan Rexhepi

Në të njëjtën ditë u mbajt dhe seanca gjyqësore për Dritan Rexhepin, i cili nuk u paraqit në seancë, duke kërkuar të përfaqësohet nga avokatja e tij.
Gjatë seancës prokuroria paraqiti provat e reja që sipas saj implikojnë të akuzuarit në keqtrajtimin dhe zhdukjen e Jang Prengës.
Sipas prokurorisë, nga kqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se njollat e gjakut të gjetura rezultojnë të përputhshme me ADN e nënës së tij. Kjo për prokurorinë është një provë që vërteton se viktima është shtetasi Jan Prenga.
Organi i akuzës pretendon se ka pamjeve filmike nëpërmjet të cilave ka mundur të identifikojë edhe itinerarit e rrëmbimit të Prendës.
“Nëpërmjet këtyre pamjeve provohet se viktima është mbajtur nën vëzhgim disa ditë përpara ngjarjes në mënyrë që të bëhej rrëmbimi. Automjeti Land Rover i autorëve të dyshuarve, kanë ndjekur automjetin e viktimës. Konkretisht në datën 15, 16 dhe 17 janar” – deklaroi prokurori.
Jan Prenga doli mëngjesin e 17 janarit 2020, për të pirë një kafe bashkë me të shoqen, Marie. Nëna e 3 fëmijëve u kthye në shtëpi, ndërsa Jani u nis për në drejtim të qendrës së Kamzës. Një makinë Range Rover i afrohet teksa ecte rrugëve të qytezës. Jan Prenga u përlesh me rrëmbyesit, por ata arritën ta rrëmbenin dhe të largoheshin.
Policia gjeti gjurmë të mjetit në Shijak, në hotelin e Altin Hajrit dhe kur ajo ndërhyri, rrëmbyesit ishin zhdukur.
Ngjarja dyshohet se ka lidhje me grabitjen e një sasie të madhe kokaine në Portin e Portsmuthit, ku të përfshira janë grupe të marko-trafikut shqiptar.
Hetimi zbuloi se rrëmbimi i Jan Prengës ishte urdhëruar për shkak se vëllai i tij, Astriti, kishte grabitur një sasi te madhe kokaine në Portin e Portsmuthit në Britaninë e Madhe.
Anton Prenga i tha policisë shqiptare se, Ndreka, vëllai tjetër i tyre, i cili atë kohë ndodhej në burg në Britaninë e Madhe, ishte kontaktuar nga Dritan Rexhepi, një shtetas shqiptar ky me rekorde të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Rexhepi, ndodhej në burg në Ekuador por sipas dëshmisë së dhënë nga Prenda pretendonte se droga ishte e tij. Rexhepi kërkoi kthimin e drogës së vjedhur nga Astriti dhe në këmbim të saj premtoi se Jan Prenga do të lirohej.
Dritan Rexhepi pretendoi se “I kishin dalë fjale” ndaj vendosi të tregonte emrat e pjesëtarëve të grupit që kreu rrëmbimin e Jang Prengës.
Festim Bexhdili dhe Olsi Turja ishin të vetmit që u përballen me gjykatat në vend si të dyshuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Jang Prenga.
Dy procese të tjera vijojnë në Gjykatën e Posacme por asnjë-prej të akuzuarve nuk është përballë togave të zeza.
“Procesi ndaj të pandehurve Korado Kështenja, Martin Bleta, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Gentjan Funiqi, Dritan Rexhepi dhe Geraldo Martini është në themel, në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga ana e prokurorit”.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e e rrëmbimit apo mbajtjes peng të personit, kur është shkaktuar vdekja, mbajtje pa leje e armëve luftarake, fshehja apo asgjësimi i kufomës dhe përfshirja në grup të strukturuar kriminal.
Në nëntor të 2022, autoritetet spanjolle njoftuan policinë shqiptare se kishin arrestuan Gentian Docin Funiqin.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.