Kryeministri Edi Rama bëri të ditur më 22 dhjetor 2024 se muaji janar do të gjente Shqipërinë në listën e vendeve që kanë mbyllur rrjetin social Tik-Tok, megjithatë vendimi zyrtar u bë gjatë ditës së sotme, 6 mars 2025.
Rrjeti social Tik-Tok nuk do të jetë i arritshëm për përdoruesit nga Shqipëria për të paktën 1 vit. Vendimi i Qeverisë për ta mbyllur këtë platformë u bë publik nga ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Ogerta Manastirliu, sipas të cilës, ky vendim erdhi si rezultat i bisedave konstruktive me 65 mijë prindër në mbi 1300 takime.
“Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok”, – deklaroi ministrja, ndërkohë që bëri të ditur se mbyllja do të mundësohet nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike.
Ndërkohë, Kryeministri reagoi për këtë vendim në rrjetin social “X”, ku pasi theksoi se mbyllja do të jetë e përkohshme, bëri të ditur se Qeveria është në një dialog pozitiv me kompaninë kineze, e cila do të vijë në Shqipëri për të paraqitur masat rreth rritjes së sigurisë për fëmijët.
“Ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, shkruan Rama, ndërkohë që ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë deklaratës së tij për mediat u bëri thirrje adoleshëntëve për të marrë pjesë në protestën e thirrur prej tij më 15 mars.
Sipas Berishës, mbyllja e Tik-Tok është një akt censure e ndërmarrë nga Rama në kulmin e fushatës elektorale.
Shqipëria nuk është i vetmi shtet në botë që vendosi mbylljen e kësaj platforme, megjithatë, marrja e këtij vendimi nga ana e Qeverisë e ka shndërruar Shqipërinë në të parin vend të Evropës që e ndalon përdorimin e këtij rrjeti social.
Të vetmet vende në të cilat është i ndaluar përdorimi i Tik-Tok janë: India, Somalia, Nepali, Irani, dhe Afganistani.
Gjatë një interviste të dhënë më parë për “shteg.org”, pedagogu i Sociologjisë, Zyhdi Dervishi u shpreh kundër mbylljes së kësaj platforme, e cila sipas tij rrit komunikimin midis njerëzve dhe i krijon mundësinë audiencës shqiptare për të kuptuar se si funksionojnë kulturat dhe popujt e tjerë.
Vendimi për mbylljen e Tik-Tok u mor pas vrasjes së 14-vjeçari Martin Cani një një tjetër bashkëmoshatar i tij për shkak të një konflikti të nisur në këtë rrjet social, megjithatë mbyllja e kësaj platforme nuk konsiderohet si zgjidhje për problematikën e nxitjes së dhunës, sipas sociologut Dervishi.
Sipas tij, për të mos nxitur dhunën në rrjetet sociale platformat kompjuterike duhet të filtrojnë komentet me gjuhë vulgare dhe imazhet e papërshtatshme.
“Në këtë mënyrë hiqet pjesa helmuese e rrjeteve sociale dhe mbetet ajo pjesa e mirë e komunikimit për çështje pune, mesazh, opinionesh etj”,- tha sociologu, duke shtuar se duhet ndaluar dhe përdorimi i gjuhës vulgare dhe sharëse në parlamentin e vendit.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.