Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi deklarimin fajtore për veprën “shpërdorim detyre” të ish-kryebashkiakes së Libohovës, Luiza Mandi, por i shmangu rrezikun e masës së arrestit me burg.
Apeli la të pandryshuar dënimin me 8 muaj burg, por ndryshe nga Shkalla e Parë, vendosi pezullimin e ekzekutimit të këtij dënimi duke e lënë në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Mandi u procedua pas kallëzimit të një qytetari, i cili pretendonte se prona e tij ishte dëmtuar gjatë zhvillimit të një projekti të Bashkisë.
Hetimet
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi në qershor të 2024, deklarimin fajtor të ish-kryetares së Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.
Ish-kryetarja e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi u procedua bazuar në një kallëzim të depozituar nga një qytetar, që pretendoi se pronat e tij ishin dëmtuar gjatë zbatimit të një projekti të njësisë vendore për zgjerimin e një rruge.
Pas dëmtimeve të pronës qytetari bisedoi personalisht me Luiza Mandin dhe përgjegjësin e urbanistikës, të cilët e kanë sqaruar se pas përfundimit të projektit do të merreshin me riparimin e dëmeve të shkaktuara në tokat e tij, si dhe duke pastruar dherat dhe inertet që ishin hedhur. Megjithatë, premtimi i ish-kryebashkiakes nuk u mbajt çka bëri që qytetari të kallëzonte rastin.
Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Posaçme sekuestroi projektin në të cilin u konstatuan se ishin cenuar pronarët e tokës nga Libohova.
Sipas shkresave, gjatë zhvillimit të projektit në fjalë nuk është zbatuar procedura e shpronësimit çka ka sjell dhe dëmin ekonomik të familjes kallëzuese në një vlerë prej 362,480 lekë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.