Ish-Kryebashkiaku i Himarës, nën akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash

SPAK e akuzon Goron për abuzim me detyrën e tij gjatë periudhës që drejtonte Bashkinë e Himarës, duke kryer veprime të paligjshme lidhur me pronat, çka mundësonte regjistrimin e pasurive shtetërore në favor të individëve privatë.

827
Jorgo Goro
Credit: LSA

Prokuroria Speciale SPAK dërgoi për gjykim dosjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim dhe fshehje pasurie. Bashkë me të nën akuzë janë edhe tre zyrtarë të tjerë lokal të Bashkisë Himarë, Jerasimo Bashi, Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikolaj të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

SPAK e akuzon Goron për abuzim me detyrën e tij gjatë periudhës që drejtonte Bashkinë e Himarës, duke kryer veprime të paligjshme lidhur me pronat, çka mundësonte regjistrimin e pasurive shtetërore në favor të individëve privatë.

Një nga akuzat më të rënda ndaj Goros është falsifikimi i dokumenteve për të përfituar pasuri në emër të burrit të deputetes Olta Xhaçka, ndërsa nga hetimi është zbuluar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë disa vartës të tij në administratën lokale, kanë manipuluar dokumente dhe i kanë dërguar ato për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) të Vlorës. Kjo ka mundësuar regjistrimin e pronave bujqësore që i përkisnin shtetit në emër të subjekteve private, duke shkaktuar abuzime të rënda me pasurinë publike.

Përveç falsifikimit të dokumenteve, Goro është akuzuar edhe për “shpërdorim detyre” në dy raste të ndara, ku ka abuzuar me pozitat e tij për të favorizuar individë të caktuar në lidhje me lejet e ndërtimit dhe tenderat e bashkisë. SPAK-u  ka ngritur gjithashtu akuza për “pastrimin e produkteve të veprës penale”, duke theksuar se Goro dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ndërmarrë veprime për të fshehur origjinën e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Hetimi ndaj Goros ka nisur në vitin 2024, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe rivali politik i Goros, i cili ishte arrestuar për akuzën e shitblerjes së votave.

Kallëzimi i Belerit ka ngritur dyshime për abuzime të mundshme lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit dhe menaxhimin e pronave në Himarë. SPAK, duke u mbështetur edhe në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar shkelje të mundshme dhe ka nisur hetime të mëtejshme për ndërtimin e një resorti në Himarë, ku dyshohet se janë bërë abuzime financiare.

Bjorn Alija
+ posts

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org