SPAK akuzon Veliajn për krijimin e skemave korruptive, pastrim parash dhe korrupsion

Skema përfshinte kompanitë dhe organizatat jofitimprurëse të bashkëshortes me biznesmenë të lidhur ngushtë me të, ku në 4 vjet kanë siguruar të ardhura që kalonin 1 milion euro.

2067
Arrestimi kryetarit të bashkisë Tiranës Erion Veliaj
Credits: LSA

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj qëndronte i izoluar në afërsi të burgut 313 në rrugën Mine Peza, kur Prokuroria e Posaçme sqaroi pasditen e së hënës, 10 shkurt 2025 akuzat që rëndojnë mbi të, bashkëshortes dhe disa biznesmenëve, bashkëpunëtorë të tij. 

Përveç arrestimit të Veliajt, Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu masën e “arrestit shtëpiak” për Ajola Xoxën, arrestimin e biznesmenit Elman Abule si dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për katër të tjerë, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.

SPAK e akuzon Erjon Veliajn dhe bashkëshorten e tij, se kanë krijuar një skemë korruptive nga e cila në 4 vjet kanë siguruar të ardhura që kalonin 1 milion euro.

“Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi E. V., përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësia Ajola Xoxe, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas njoftimit të Prokurorisë janë gjetur prova të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike të Bashkisë së Tiranës kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e Veliajt ose rrethi i saj familjar.

Hetimet tregojnë se Veliajt ka përfituar përmes kësaj skeme një vilë në Qerret si dhe të ardhura me vlerë 110 milionë lekë, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike dhënë biznesmenëve që gjithashtu nën hetim.

“Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë” – sqaron SPAK.

Prokuroria thotë se ka prova që Erion Veliaj është në dijeni të këtyre transaksioneve ndërsa skema duket së është realizuar nëpërmjet 3 organizatave jofitimprurëse dhe 3 kompani janë të kontrolluara nga Xoxe dhe biznesmeni Elman Abule.

“Përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë” – sqaron prokuroria.

SPAK thotë gjithashtu se një pjesë e parave të përfituara nga skema e korrupsionit kanë shkuar në për blerje online në rroba dhe bizhuteri nga Xoxa, që kapin vlerën e 86.7 milionë lekëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa
Credits: LSA – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa

Veliaj dhe Xoxa akuzohen gjithashtu për veprat penale të pastrimit të parave dhe deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

Sa i përket pesë biznesmenëve, SPAK i akuzon ata për veprën penale të korrupsionit aktiv.

“Këta shtetas dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve…  të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj.,” thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij hetimi SPAK thotë se ka ngritur akuza edhe ndaj deputetes socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, cila duket se ka qenë aktive në kryerjen e veprimeve “që pengonin zbulimin e së vërtetës” gjatë hetimeve të kryera ndaj Erion Veliajt.

“Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim, K.B ka kryer veprime aktive të kundra ligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues…,” tha SPAK në njoftim.

Avokati i familjes Veliaj i tha “shteg.org” se nuk ka asnjë koment mbi masat e lëshuara nga gjykata pasi ai ende nuk është në dijeni të fakteve.

Në dhjetor të 2024 Prokuroria e Posaçme konfirmoi se Erion Veliaj po hetohej për akuzat që kishin lidhje me korrupsionin, pastrimin e parave, dhe fshehjen e të ardhurave.

Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë të kuptohej që akuzat ndaj tij janë të iniciuara politikisht dhe se faktet janë ngritur mbi dëshmitarë të rremë.

Veliaj, i cili mban postin e Kryebashkiakut të Tiranës që nga viti 2015, është thirrur disa herë pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme për të dëshmuar.

Erion Veliaj, 45 vjeç, e nisi karrierën politike në mes të viteve 2000, kur u kthye në Shqipëri pas studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aso kohe ai themeloi lëvizjen Mjaft, një organizatë që do i hapte atij rrugën në Partinë Socialiste, për t’u zgjedhur më pas deputet, ministër dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj është parë si një “pasardhës” i denjë i kryeministrit Rama qoftë dhe për faktin se njihej edhe si kumbari i tij politik.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.