Gjykata Kushtetuese ka vendosur të njohë të drejtën e gazetarit të Ora News, Elton Qyno, lidhur me kërkesën e tij për shfuqizimin e vendimeve të mëparshme që kishin lejuar sekuestrimin e pajisjeve elektronike të tij, si dhe kontrollin në banesën dhe vendin e punës.
Gjykata arriti në përfundimin se këto masa hetimore përbënin një cenim të lirisë së shprehjes dhe një ndërhyrje të pajustifikuar ndaj së drejtës së gazetarit për të mbrojtur burimet konfidenciale të informacionit, të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se mbrojtja e burimeve të gazetarëve nuk është një privilegj, por një element thelbësor i lirisë së medias dhe e drejtës për informim të publikut. Ajo kritikoi faktin se gjykatat më të ulëta nuk kishin argumentuar nevojën për këtë sekuestrim si mjet i fundit dhe nuk kishin paraqitur alternativa më të balancuara për hetimin. Gjithashtu, Gjykata vuri në dukje mungesën e arsyetimit për urgjencën e sekuestrimit të të dhënave, duke e cilësuar tërësinë e veprimeve si një ndërhyrje jo proporcionale në të drejtat e gazetarit.
Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se autoritetet nuk kishin ndjekur parimin e proporcionalitetit dhe nuk kishin paraqitur prova të mjaftueshme që të arsyetonin një ndërhyrje kaq të thellë në aktivitetin profesional të gazetarit. “Mbrojtja e burimeve nuk është privilegj, por një mjet thelbësor i lirisë së medias në një shoqëri demokratike,” thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Si rrjedhojë, Gjykata urdhëroi jo vetëm shfuqizimin e vendimeve gjyqësore, por edhe asgjësimin e të gjitha të dhënave të sekuestruara gjatë këtij procesi.
Gazetari i Ora News, u përball me një seri hetimesh dhe masash të ashpra në dhjetor të vitit 2023, kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndërmori kontrolle në banesën dhe zyrën e tij, duke sekuestruar celularët dhe pajisjet kompjuterike, nën dyshimin për “nxjerrje të sekretit hetimor”. Dyshimet kishin të bënin me publikimin në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, përfshirë rastin e organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela.
Në vijim, në nëntor 2024, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj Qynos masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, në lidhje me të njëjtën çështje. Megjithatë, kjo masë u rrëzua në janar 2025 nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gazetari Elton Qyno iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me mbështetjen e organizatës Res Publica, duke kërkuar jo vetëm shfuqizimin përfundimtar të të gjitha vendimeve gjyqësore që kishin lejuar sekuestrimin e materialeve personale dhe të punës, por edhe pezullimin urgjent të çdo veprimi mbi këto materiale. Në këtë mënyrë, kërkohej që të merren masa për zbatimin e vendimit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut në OKB, i cili deri tani kishte mbetur i shpërfillur nga SPAK.
Në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese mbrëmjen e 22 prillit, ajo theksoi se kishte arritur në përfundimin se gazetari Qyno kishte të drejtën ligjore dhe ishte legjitim për të kundërshtuar vendimin që lejonte sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të tij.
Ky kundërshtim kishte kaluar gjithashtu nëpërmjet Gjykatës së Lartë, dhe tani, pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ky veprim shkelte të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Ky vendim erdhi pas një hetimi të nisur nga SPAK për dyshimin e nxjerrjes së sekretit hetimor dhe rrjedhjes së materialeve të mbrojtura, ndërsa për gazetarin është një vendim që ri-vendosi drejtësinë.
“Pas 495 ditësh betejë të vështirë ligjore, drejtësia më në fund u vu në vend. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një dritë jeshile për çdo gazetar që mbron profesionin dhe integritetin e burimeve të tij. Sot SPAK nuk është në gjendje t’i përgjigjet as vetes dhe as publikut se kush nxori materialet sekrete ‘SKY’ brenda radhëve të tyre.” – deklaroi gazetari Elton Qyno.
Diplomuar në profilin "Shkenca Komunikimi", pranë Kolegjit Universitar "Beder".
Aktualisht studente në profilin "Mardhënie me Publikun", pranë Kolegjit Universitar "Beder".
Gjatë viteve të studimit, Xhensika është përfshirë në trajnime që kanë patur fokus gazetarinë cilësore.