Në kohë të turbullta, ku gazetaria sulmohet sa nga qeverisja, po aq dhe nga lajmet e rreme, të qëndruarit në istikamin e një beteje për lajmin e vërtetë dhe hapja e rrugës për të zbuluar të vërtetën janë një detyrim ndaj së sotmes dhe së ardhmes.
Domosdoshmëria për një rrugëtim të ri nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq emergjente, sidomos sot kur gazetaria cilësore mbetet ende një terren i djerrë me vetëdije nga një klasë politike që vazhdimisht ka cenuar lirinë e medias. Jo më pak shqetësues mbetet edhe kërcënimi i vazhdueshëm i mediave që zotërohen nga pronarë që përziejnë biznesin me gazetarinë. Në këtë mjedis makiavelian, ku edhe qeveria është shndërruar një “gazetar”, Shteg.org shpreson të jetë një fije shprese dhe integriteti në kërkim të së vërtetës në gazetarinë shqiptare.
Misioni ynë nuk është ta shndërrojmë SHTEG-un në një media online të lajmeve të shpejta. Ai është një angazhim pa kompromis ndaj parimeve, vlerave dhe dedikimit të sinqertë ndaj fakteve dhe së vërtetës, duke risjellë kështu një gazetari hulumtuese që shkon përtej raportimit sipërfaqësor, propagandës dhe dezinformimit, që hera-herës edhe i qëllimtë.
Ne angazhohemi që të mbajmë lart standardet e një gazetarie investigative, duke ofruar tek lexuesit tanë një informacion që bazohet mbi faktet, provat, argumentet e qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, ndershmërinë e informacionit përmes një beteje për të hapur një shteg drejt së vërtetës.
Por, nuk duam ta përfundojmë me kaq betejën tonë për një gazetari të sinqertë dhe cilësore për publikun. Prandaj do të duam të zgjerojmë më tej duke diversifikuar përmbajtjen tonë për të shtuar përtej shkrimeve investigative, edhe opinione, edhe forma të tjera komunikimi, për të ofruar një perspektivë të re, reale dhe sa më të plotë të ngjarjeve që ndodhin. Duke dëshmuar në çdo hap angazhimin tonë të sinqertë ndaj jush.
Shpresojmë që në këto kohë turbullta të misionit të gazetarit, SHTEG të jetë realisht i denjë për emrin që mban duke lënë pas jo vetëm hapat e atyre që e krijuan, por edhe një udhë drejt vlerave të informimit, duke spikatur si një media që këmbëngul në transparencë, që detyron qeveritë për llogaridhënie dhe që i ofron publikut një investigim, lajm dhe opinion të paanshëm dhe cilësor.
Ndërsa nisim këtë udhëtim, ju ftojmë ju si lexues të na bashkoheni për të ndërtuar së bashku me ju hapat e një gazetarie që duam të lërë shenjën e mirë të shtëpisë së medias në vendin tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një vend më të mirë, ku media i shërben demokracisë, duke forcuar shoqërinë përmes lajmeve dhe të vërtetës.
SHTEG-u më shumë sesa një emër, është një premtim për të ndjekur të vërtetën, avokim për një gazetari profesioniste dhe dinjitoze.
Le të ecim së bashku në këtë Shteg për të luftuar për një Shqipëri më të mirë.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.