Ndërtimet e reja kërcënojnë trashëgiminë natyrore në Pogradec

Projekte turistike dhe pallate 12-25 kate rrezikojnë ekosistemet e Liqenit të Pogradecit dhe habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

3363
Pogradec Marina
Credits: Aramar Group - Pogradec Marina

Parku Kombëtar i Drilonit dhe fshati Tushemisht, pranë liqenit të Ohrit në Pogradec, janë shpallur zonë me rëndësi kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s për habitatin e pasur dhe vlerat natyrore.

Megjithatë, kjo zonë e mbrojtur rrezikon të preket nga një plan zhvillimi i qeverisë shqiptare, i cili parashikon ndërtimin e një numri të konsiderueshëm strukturash në hapësirën mes Drilonit dhe fshatit turistik Tushemisht. Në vigjilje të Krishtlindjeve të një viti më parë, KKT miratoi lejen e ndërtimit për objektin “Pogradec Marina”, ku edhe pse investitorë është një bashkim operatorësh, “Aramar Group” dhe “Arlis-Ndërim”, pronari i vetëm përfitues është biznesmeni Armand Lilo.

Në afërsi të parkut, plani parashikon ndërtimin e strukturave turistike me lartësi që variojnë nga 3 deri në 23 kate mbi tokë, si dhe një galeri arti me funksion publik, si dhe godinave hibride për qëllime tregtare.

Ky projekt ka ngritur dyshime për mundësinë e ndikimeve të interesave private në një zonë të mbrojtur, ndërsa ka nisur puna për zbatimin e projektit “Pyjet e Drilonit”, që parashikon ngritjen e pallateve 12-katësh pranë Parkut të Drilonit, në hyrje të Tushemishtit. Shitja e apartamenteve ka filluar, me çmime që arrijnë 157,000 euro për një njësi 2+1.

Ekspertët thonë se këto ndërtime bien ndesh me statusin e Liqenit të Pogradecit (Ohrit) si zonë e mbrojtur dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Organizata Lake Ohrid Heritage paralajmëron se ndërtesat gjigande dhe projekti “Pyjet e Drilonit” rrezikojnë statusin e mbrojtur të liqenit dhe mund të çojnë në shpalljen e Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Botërore në Rrezik.

Autoritetet shqiptare insistojnë se UNESCO ka vetëm rol këshillues në këtë çështje, ndërsa përfaqësuesit e bashkisë së Pogradecit i konsiderojnë projektet si një mundësi për rritjen e turizmit në qytet.

Zonat e mbrojtura në rrezik

Parku Kombëtar i Drilonit dhe fshati Tushemisht, buzë Liqenit të Ohrit, janë shpallur zonë e rëndësisë kombëtare dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për habitatin e pasur dhe vlerat e tyre natyrore. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura thotë se Liqeni i Pogradecit është “peisazh i mbrojtur”.

“Liqeni i Pogradecit është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan (289 m). Përfshin një sipërfaqe prej 358.2 km², ku 109 km² i takon Shqipërisë. Vija bregliqenore është 87.5 km e gjatë, nga të cilat i takojnë 31.5 km Shqipërisë dhe 56 km Maqedonisë Veriore,” thotë AKZM. Sipas saj, më 5 korrik 2019, për shkak të pasurisë së lartë biologjike dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, pjesa shqiptare e tij bashkë me zonën përreth u përfshi në Listën e Trashëgimisë mikse Natyrore dhe Kulturore Botërore të UNESCO-s.

Por këto hapësira rrezikohen nga një plan i qeverisë shqiptare, që parashikon ndërtime të shumta midis Drilonit dhe fshatit turistik.

Fillimisht ishte plani i detajuar i zhvillimit, i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në dhjetor 2020, i cili hapi dritën jeshile për rikualifikimin e parkut nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Sipas projektit, në kufi të parkut mund të ndërtohen struktura turistike dhe godina hibride me qëllime tregtare.

Menjëherë pas tij, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më 24 dhjetor të 2024 projekte që, sipas ekspertëve, do të shkaktojnë dëme në mjedis dhe që nuk garantojnë zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Buzë Liqenit të Pogradecit qeveria miratoi projektin e quajtur “Pogradec Marina” me një sipërfaqe prej 22 mijë m².

Mësohet se kullat do të ndërtohen mbi lulishten e zonës së ish-hotel Turizmit të vjetër dhe të dhënat tregojnë se bëhet fjalë për ndërtimin e 5 kullave të larta. Më e madhja parashikohet të jetë 25 kate dhe më e ulta 13 kate. Sipas dokumentave, projekti do të zbatohet nga një konsorcium kompanish, por pronari fundor i të dy kompanive është biznesmeni kontrovers Armand Lilo.

Por ky nuk do të jetë projekti i vetëm, pasi në Pogradec po punohet edhe në parkun e Drilonit.

Kompania “Kontakt” ka njoftuar zbatimin e një projekti të quajtur “Pyjet e Drilonit”, ku parashikohen ngritja e pallateve 12-katëshe në hyrje të Tushemishtit. Kompania ka nisur shitjen e apartamenteve, dhe si reklamohet çmimi nis me 1,500 euro/m².

Projektet e ndërtimit në zona të mbrojtura janë një problem i vazhdueshëm në Shqipëri për dëmet që shkaktojnë në mjedis dhe në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Organizatat mjedisore lokale, si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni, thonë se për shkak të ndërtimeve të planifikuara në zonën e mbrojtur “Liqeni i Pogradecit”, po humbet një zonë e mbrojtur e UNESCO-s.

“Investimet e planifikuara për tu zhvilluar janë ndërtime me intensitet të madh – struktura gjigande prej betoni në zemër të zonës së mbrojtur apo dhe projekti ‘Pyjet e Drilonit’ – mes Parkut Kombëtar të Drilonit dhe Fshatit Turistik të Tushemishtit, po rrezikojnë statusin si zonë e mbrojtur dhe nëse nuk ndodh një kthesë e papritur, Liqeni i Ohrit do të shpallet Trashëgimi Botërore në Rrezik për herë të parë,” thuhet në një deklaratë të organizatës Lake Ohrid Heritage.

Ndërsa Arbër Male, këshilltar i pavarur bashkiak i Pogradecit, thotë se ndërtimi i kullave në qytet bie ndesh me direktivat e UNESCO-s, e cila e klasifikon pjesën ku parashikohen ndërtimet si një zonë me rëndësi natyrore, mjedisore dhe pjesë të trashëgimisë botërore.

“Nuk mund të ketë pyje dhe kulla bashkë, beton dhe park. O njëra o tjetra!” – thotë Male, sipas të cilit projektet e tilla nuk ndihmojnë zhvillimin e turizmit në Pogradec.

“Turistëve nuk mund t’i shesim vetëm gasoniere dhe beton; ata vijnë për habitatin, natyrën, qetësinë, liqenin, pulëbardhat dhe ajrin e pastër. Nëse këto i vrasim me beton, automatikisht kemi vrarë edhe turizmin e zonës,” shruan Arbër Male.

Përtej shqetësimeve lokale, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ka kërkuar nga qeveritë shqiptare dhe maqedonase të zbatojnë masa korrigjuese dhe të përshpejtojnë zhvillimin e qëndrueshëm, duke përjashtuar zonat ekologjikisht të ndjeshme nga ndërtimi.

Ndër të tjera, në dokumentin që “shteg.org” analizoi, UNESCO i kërkon qeverisë shqiptare që të përshpejtojë dhe përmirësojë planifikimin urban dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zonë, duke siguruar që të gjitha projektet dhe ndërtimet të kryhen vetëm pas vlerësimeve të plota të ndikimit mjedisor, përfshirë ndikimin e ndotjes së ujit dhe të mjedisit. Po ashtu, kërkohet që të përjashtohen mundësitë e urbanizimit në zonat ekologjikisht të ndjeshme, duke përfshirë ato midis Tushemishtit dhe Burimeve të Drilonit. Gjithashtu, kërkohet që të ndërmerren masa urgjente për ruajtjen e ekosistemit të liqenit dhe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit. Por projektet vazhdojnë, ndërsa rekomandimet ndërkombëtare mbeten të pakonsideruara.

Rreziku mbi Liqenin e Ohrit

Në Drilon dhe Tushemisht, qielli mbi liqen duket se mbart një tension të padukshëm. Banorët flasin për ndryshime që po shndërrojnë peizazhin dhe jetën e tyre: një erë e rëndë fekalesh, ujëra që kanalizohen në depozita, dhe ndërtime që shtrihen deri në horizont.

Yllka Çausholli, konstruktore me eksperiencë në ndërtim civil dhe industrial, thotë se ndryshimet në Pogradec, veçanërisht shtimi i ndërtimeve pa planifikim të mirë dhe ndikimin që kanë pasur ato mbi ekosistemin, janë jashtë kontrollit.

Ajo paralajmëron se ndërtimet në këtë zonë kanalizojnë ujin në depozita dhe përdorimi i klorit po dëmton burimet natyrore.

“Toka është shtuf, nuk është e përshtatshme për ndërtim, dhe ndërtesat e larta, që po ndërtohen kudo, janë në strukturë rëre dhe ujë, e nuk kanë garanci. Po të ndërtoheshin në kodra, situata do të ishte ndryshe, por betonimi në lagështirë dobëson themelet dhe zhvillon probleme afatgjata,” – thotë Çausholli.

Ing. Yllka Çausholli
Credits: shteg.org – Ing. Yllka Çausholli

Po aq skeptik për ndërtimet me kulla të larta në qytet është edhe Klodian Latollari, një panoramist i qytetit të Pogradecit.

“Unë nuk e dua turizmin agresiv dhe luksoz. Gjërat më të bukura janë të thjeshta. Nëse Pogradeci bëhet shumë luksoz, turistët nuk do të kthehen,”- thotë ai.

Ekspertët paralajmërojnë rreziqe më serioze. Arjan Merolli, inxhinier dhe ekspert i përfshirë në dosjen e UNESCO-s për Liqenin e Ohrit, thotë se projektet rrezikojnë heqjen e Liqenit nga lista ndërkombëtare e zonave të mbrojtura.

“Çdo ndërtim i ri rrezikon heqjen e liqenit nga lista ndërkombëtare dhe përshkruan rrezik katastrofe ekologjike dhe sociale. Mungesa totale e kontrollit në territor dhe mosbashkëpunimi ndërkufitar vazhdojnë shkeljen e ligjeve ndërkombëtare,”- thotë Merolli.

Sipas ekspertëve, ndërtimet e reja bllokojnë korridoret ajrore dhe krijojnë hije të mëdha mbi shtëpitë ekzistuese, duke përkeqësuar lagështinë dhe duke rrezikuar peizazhin tampon që UNESCO ka kërkuar të ruhet deri në 50 metra larg bregut.

“Hetimet mbi situatën pas raportit të UNESCO-s tregojnë se, për disa muaj, qeveria dhe autoritetet lokale nuk kanë bërë asnjë reagim ose informim lidhur me përkeqësimin e situatës,” – thekson Merolli.

Pogradeci ka hyrë në listën e UNESCO-s si trashëgimi e përzier më 5 korrik 2019, dhe që atëherë ka pasur 4 misione monitorimi në terren. UNESCO nuk lejon ndërtimet afër zonave të trashëgimisë natyrore, sepse kjo dëmton vlerat e veçanta që e bëjnë atë pjesë të Trashëgimisë Botërore. Tushemishti quhet zona bërthamë sipas UNESCO-s, e cila është një zonë e kushtuar rritjes së peshkut. Këtu nuk lejohet gjuetia e peshkut si dhe veprime të tjera në dëm të habitatit. Në këtë zonë duhet të ruhet bimësia në mënyrë që të ndodhë i gjithë procesi natyror.

“Çdo herë që misionet vijnë, gjejnë ndërtime të reja në zonë. Kjo tregon se rekomandimet nuk janë marrë seriozisht,” – thotë Merolli.

Gjithashtu, 38 organizata të shoqërisë civile nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të Evropës kanë nënshkruar një letër të përbashkët drejtuar UNESCO-s. Ata shprehin shqetësime për moszbatimin e rekomandimeve të misioneve të mëparshme, zhvillimeve të dëmshme në infrastrukturë dhe një dështim të thellë të qeverive për të zbatuar rekomandimet e vitit 2022.

Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të dorëzojnë deri më 1 shkurt 2026 një raport të detajuar mbi gjendjen dhe përparimin në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Pas kësaj, në sesionin e 48-të të vitit 2026 do të vendoset nëse rajoni do të përfshihet në listën e vendeve në rrezik, gjë që mund të kërcënojë rëndë ekosistemet dhe fshatrat turistike shqiptare si Tushemishti, Driloni dhe Lini.

Liqeni i Pogradecit, me sipërfaqe 358.2 km² dhe thellësi 289 m, përfaqëson një ekosistem unik me biodiversitet të pasur dhe fosile gjallë.

Nëse UNESCO vendos në 2026 ta vendosë rajonin në listën e vendeve në rrezik, fshatrat dhe liqeni do të përballen me një pasiguri të madhe ekologjike, kulturore dhe turistike.

“Pasuritë tona natyrore dhe kulturore do të humbasin për gjeneratat e ardhshme. Investimet e papërgjegjshme dhe zhvillimet e paplanifikuara po e shndërrojnë Shqipërinë në shembullin më të keq të mosrespektimit të parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e Trashëgimisë,”- thuhet në deklaratën e organizatave mjedisore.


Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).

Arlis Alikaj
+ posts

Arlisi është një gazetar me mbi një dekadë përvojë në raportimin nga komunitetet rurale. Gjatë karrierës së tij, Arlisi ka bashkëpunuar me media kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në vitin 2019, ai u vlerësua me Çmimin CEI SEEMO për Merita të Shquara në Gazetari. Ai ka ndjekur trajnime të avancuara në fushën e gazetarisë në Universitetin e Pensilvanisë d si dhe ka përfunduar trajnimin për Gazetari Hetuese Ndërkufitare për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Qendror Evropian.