Ish-polici i përfshirë në trafikun e drogës

SPAK e akuzon ish-oficerin e Policisë Gjyqësore Igli Haxhiaj, për zbulim sekretesh hetimore dhe për komunikime në SKY ECC që lidhen me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve gjatë një hetimi për grup të strukturuar kriminal.

306
ish-oficeri i Policisë Gjyqësore Igli Haxhiaj
Credits: shteg.org - ish-oficeri i Policisë Gjyqësore Igli Haxhiaj

Në një seri bisedash të zhvilluara në platformën e enkriptuar SKY ECC, një oficer i Policisë Gjyqësore Igli Haxhiaj, shfaqet duke diskutuar për çmime droge, destinacione dhe lëvizje mallrash që sipas hetuesve i përkasin një rrjeti ndërkombëtar trafiku.

Mesazhet e zbardhura nga dosja hetimore tregojnë përfshirjen e ish oficerit të policisë në pazaret e drogës.

Në një nga mesazhet e zbardhura, Haxhiaj shkruan:

“Këto që të çova tani më thonë janë 100% colo, origjinale”, ndërsa bashkëbiseduesi e pyet për origjinën e tyre.

Në vijim të bisedave, ai diskuton për tregun e drogës në disa vende të Europës:

“Në Holland nga 31.5 deri në 32.5 e kanë pas marrë këta çunat”, ndërsa në një tjetër komunikim flitet për Barcelonën dhe sasi prej qindra kilogramësh.

Sipas Prokurorisë së Posaçme SPAK, këto biseda nuk janë episode të izoluara, por pjesë e një tabloje më të gjerë hetimore që lidhet me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Në një hetim që ndërthur trafikun ndërkombëtar të drogës me rrjedhje të dyshuara informacioni brenda strukturave të zbatimit të ligjit, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim ish-oficerin e Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj.

SPAK sqaron se aktiviteti i këtij rrjeti shtrihej nga Shqipëria drejt Italisë, me furnizim nga Amerika e Jugut dhe transport përmes rrugëve detare dhe tokësore:

“Grupi i strukturuar kriminal operonte nga territori shqiptar dhe me degëzime në territorin italian, duke importuar lëndë narkotike drejtpërdrejt nga Amerika e Jugut… për ta transportuar më pas në Itali në rrugë tokësore, të fshehur në automjete të rënda.”

Por rasti Haxhiaj, sipas dosjes hetimore, nuk kufizohet vetëm te komunikimet në SKY ECC.

Në vitin 2019, Haxhiaj ishte pjesë e strukturës së Policisë Gjyqësore që po hetonte pikërisht një nga anëtarët e dyshuar të këtij rrjeti, të identifikuar me inicialet D.M. Ai kishte rol në vëzhgimin dhe përgjimin e të dyshuarit, përfshirë edhe përdorimin e përgjimeve ambientale dhe monitorimin e automjeteve.

Sipas prokurorisë, Haxhiaj i ka zbuluar subjektit nën hetim faktin se ai ishte i përgjuar dhe i monitoruar nga autoritetet, duke i dhënë edhe detaje nga aktet hetimore që ligjërisht klasifikohen si “sekret hetimor”.

“I pandehuri Igli Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit D.M. faktin se ky i fundit ka qenë objekt i hetimeve… si edhe i ka dhënë të dhëna dhe i ka zbuluar përmbajtjen e akteve që përbëjnë ‘sekret hetimor’.” – vijon njoftimi.

Hetuesit thonë se komunikimet në SKY ECC tregojnë një marrëdhënie ku informacioni shkëmbehej në këmbim të përfitimeve monetare, të cilat dyshohet të arrijnë rreth 15 mijë euro.

“I pandehuri Igli Haxhiaj i ka kryer veprimet e mësipërme… në këmbim të kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të parregullta… konkretisht të shumës prej 15.000 euro.”- sqaron prokuroria e cila ka ngritur akuzat ndaj ish policit edhe për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Sipas dosjes, problemi nuk qëndron vetëm te informacioni i ndarë, por edhe te ajo që nuk është bërë. Prokuroria thotë se në disa raste, Haxhiaj ka qenë në dijeni të komunikimeve që lidhen me trafik droge, por nuk ka ndërmarrë veprimet procedurale të detyrueshme për të nisur hetime të reja apo për të informuar prokurorin kompetent.

Çështja ndaj Igli Haxhiaj tashmë ndodhet në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shqyrtohet një dosje që lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e një oficeri policie me një rrjet ndërkombëtar trafiku dhe me rrjedhjen e informacionit të ndjeshëm hetimor.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.