Më shumë se pesë hektarë pyll me pisha u dogjën pasditen e së dielës në zonën e Pyllit të Sodës në Vlorë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë monitorimin e territorit për shkak të vatrave të izoluara që mbeten ende aktive dhe trungjeve që vazhdojnë të digjen nga brenda.
Sipas autoriteteve, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa shkaqet e plota mbeten nën verifikim.
Flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke krijuar një re të dendur tymi që mbuloi një pjesë të qytetit të Vlorës. Vatra e zjarrit u regjistrua në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit.
Në operacion u angazhuan forcat zjarrfikëse të Vlorës me të gjitha mjetet në dispozicion, të mbështetura nga Policia e Vlorës, strukturat e Bashkisë, efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, banorë të zonës, si edhe pronarë e punonjës të bizneseve pranë pyllit. Pas më shumë se tre orësh ndërhyrjeje, flakët u vunë nën kontroll.
Megjithatë, ndërhyrja nxori në pah mungesën e pajisjeve mbrojtëse dhe gjendjen e amortizuar të mjeteve të zjarrfikësve. Në terren u panë vetëm dy automjete zjarrfikëse që lëviznin mes vatrave të ndryshme të zjarrit, ndërsa zjarrfikësit punonin pranë flakëve pa veshje të posaçme mbrojtëse kundër zjarrit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se efektivët ndërhynin të pajisur vetëm me uniformat e zakonshme të punës, pa helmeta, maska mbrojtëse apo pajisje të tjera të nevojshme për operacione në temperatura të larta. Po ashtu, tubat e ujit dukeshin me rreze të kufizuar veprimi, çka vështirësonte ndërhyrjen në një terren ku zjarri ishte përhapur në disa drejtime.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe kufizimeve të mjeteve në dispozicion, banorë të zonës, pushues dhe punonjës të restoranteve aty pranë iu bashkuan përpjekjeve për izolimin e flakëve.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave, ndërsa dëmi në sipërfaqen pyjore pritet të vlerësohet pas përfundimit të plotë të operacionit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






























