Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim 11 shtetas shqiptarë, të akuzuar si anëtarë dhe drejtues të katër grupeve të strukturuara kriminale që, sipas hetimeve, trafikuan rreth 900 kilogramë lëndë narkotike drejt Finlandës gjatë viteve 2022-2024, në një aktivitet që dyshohet se u ka sjellë organizatave kriminale përfitime prej disa milionë eurosh nga shitja e drogës në tregun finlandez.
SPAK nuk jep një shifër zyrtare të fitimeve, por thekson se qëllimi i aktivitetit ishte “krijimi i të ardhurave të kundërligjshme”.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për katër grupe kriminale të krijuara dhe të drejtuara nga shtetas shqiptarë, të cilat nuk vepronin të izoluara, por bashkëpunonin ngushtë mes tyre dhe me organizata të tjera kriminale. Secili grup kishte role të ndryshme në zinxhirin e trafikimit, duke nisur nga sigurimi i lëndëve narkotike në Spanjë dhe Holandë, transporti drejt Finlandës, magazinimi, deri te shpërndarja dhe shitja në tregun vendas përmes një rrjeti të mirëorganizuar. Prokuroria thekson se kjo strukturë u mundësonte grupeve të furnizonin vazhdimisht tregun finlandez me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
“Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ishte bashkëpunimi mes tyre dhe ndërveprimi me grupe të tjera kriminale”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut, ku shtohet se një pjesë e anëtarëve janë arrestuar dhe dënuar më herët nga gjykatat finlandeze për aktivitetin kriminal.
Në mesin e të pandehurve janë Besnik Spata, Ermelind Pupa, Dorjan Luzaj, Geraldo Seferaj, Kevin Qevani dhe Toni Kota, të cilët SPAK-u i akuzon si krijues, organizatorë ose drejtues të grupeve kriminale. Pesë persona të tjerë akuzohen si pjesëmarrës në organizata kriminale dhe për trafikim apo shitje narkotikësh, ndërsa një tjetër për moskallëzim krimi.
Sipas hetimeve, grupet siguronin kanabis, amfetaminë, kokainë dhe tableta ekstazi kryesisht në Spanjë dhe Holandë. Droga transportohej drejt Finlandës me rrugë të ndryshme, ndërsa në një prej episodeve të dokumentuara, mbi 200 kilogramë kanabis u dërguan nga Spanja përmes shërbimit postar dhe më pas u shpërndanë te grupet e tjera kriminale që operonin në Finlandë. Pas mbërritjes, lëndët narkotike magazinoheshin dhe shpërndaheshin në Helsinki, Espoo, Vantaa, Turku, Porvoo dhe qytete të tjera.
Hetimi, i zhvilluar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore mes SPAK-ut dhe autoriteteve finlandeze, dokumentoi dhjetëra episode të trafikimit dhe shitjes së drogës. Ndër to janë shitja e një kilogrami amfetaminë në Vuosaari të Helsinkit në shkurt 2023 dhe një kilogrami tjetër në Malmi një muaj më vonë. Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu transportimin e 38 kilogramëve amfetaminë në Lempälä dhe shitjen e saj në Porvoo, si edhe furnizimin e vazhdueshëm me dhjetëra kilogramë kokainë, amfetaminë dhe kanabis në Helsinki gjatë vitit 2023.
Dosja përshkruan gjithashtu episode të trafikimit të 45.89 kilogramëve amfetaminë, 8.88 kilogramëve kokainë, 1,620 tabletave Oxydolor dhe medikamenteve të tjera narkotike, ndërsa gjatë vitit 2024 grupet dyshohet se trafikuan mbi 250 kilogramë kanabis, afro 10 mijë tableta ekstazi dhe disa kilogramë kokainë në zonën e Helsinkit, Espoo dhe Vantaa.
SPAK-u thotë se hetimet u mbështetën në përgjime telefonike, regjistrime të fshehta fotografike e filmike, si edhe në shkëmbimin në kohë reale të informacioneve me autoritetet finlandeze, çka bëri të mundur dokumentimin e funksionimit të rrjetit kriminal dhe roleve të secilit prej të pandehurve.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























