Shqipëria miratoi të hënën një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, në një votim që u zhvillua pa praninë e opozitës, e cila mbështeti përmbajtjen e marrëveshjes, por bojkotoi seancën duke e cilësuar procedurën e ratifikimit antikushtetuese.
Marrëveshja u miratua me 74 votat e deputetëve të Partisë Socialiste në një seancë me dyer të mbyllura, pasi qeveria argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar. Fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, ndërsa Shqipëria do të ketë katër vjet kohë për të aktivizuar kredinë dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e saj.
Votimi shënon një nga paketat më të mëdha të financimit amerikan për mbrojtjen shqiptare në dekadat e fundit, në një kohë kur vendet anëtare të NATO-s po rrisin investimet ushtarake për shkak të mjedisit të përkeqësuar të sigurisë në Evropë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Menjëherë pas votimit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se qeveria pret që pajisjet e para të financuara nga kredia të nisin të dorëzohen që në muajin shtator.
“Besojmë se që në shtator të nisin lëvrimet e para. Është mbështetja më e madhe që SHBA i jep Shqipërisë. Nëse do ta humbnim këtë javë, do të hynim në një situatë të vështirë dhe do të na vihej në dyshim përfitimi i pjesës së parë që në ditët e para të shtatorit”, deklaroi Balla.
Ai e cilësoi marrëveshjen si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s”, tha ai.
Edhe pse përmbajtja e plotë e marrëveshjes mbetet e klasifikuar, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se fondet do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e sistemeve dhe pajisjeve ushtarake.
Përplasja mbi procedurën

Pavarësisht mbështetjes për marrëveshjen, Partia Demokratike refuzoi të marrë pjesë në votim, duke argumentuar se procedura e ndjekur nga mazhoranca shkel Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, tha se opozita nuk ishte kundër marrëveshjes me SHBA-në, por kundër mënyrës së miratimit të saj.
“Po marrëveshjes me SHBA. Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, deputetëve nuk iu vu në dispozicion teksti i plotë i marrëveshjes dhe as relacioni shoqërues, ndërsa dokumenti mund të konsultohej vetëm në ambientet e Kuvendit, pasi deputetët nënshkruanin një deklaratë konfidencialiteti.
“Opozita është PRO, në parim, marrëveshjes me SHBA-në. Menjëherë pasi të njihet me përmbajtjen e saj, opozita i ka garantuar Kryetarit të Kuvendit votën e saj PRO”, thuhet në deklaratën e Bardhit.
Demokratët kërkuan që ratifikimi të shtyhej për seancën e së premtes, duke argumentuar se Kushtetuta nuk lejon votimin e një projektligji pa kaluar afati minimal nga fillimi i shqyrtimit parlamentar.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti të njëjtin qëndrim.
“Ne jemi pro kredisë, por kërkojmë që procedura të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe jo me vullnetin antikushtetues të Edi Ramës”, tha ai.
Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi deputetët se marrëveshja përmbante informacion të klasifikuar dhe, për këtë arsye, nuk mund të shpërndahej në mënyrë të zakonshme.
Deputetët mund ta konsultonin tekstin vetëm në ambientet e Kuvendit dhe vetëm pasi të firmosnin një deklaratë për ruajtjen e konfidencialitetit.
Mazhoranca argumentoi se kjo procedurë ishte e domosdoshme për shkak të natyrës së informacionit që lidhet me kapacitetet ushtarake dhe prokurimet e mbrojtjes, ndërsa opozita e konsideroi këtë praktikë të papajtueshme me të drejtën kushtetuese të deputetëve për t’u njohur paraprakisht me dokumentet që votojnë.
Miratimi i huasë vjen në një periudhë kur Shqipëria, ashtu si vendet e tjera anëtare të NATO-s, po rrit investimet në mbrojtje dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
Paketa prej 302 milionë dollarësh konsiderohet si një nga angazhimet më të mëdha financiare të SHBA-së për modernizimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare dhe pritet të përdoret për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes në përputhje me standardet e Aleancës.
Marrëveshja hyn në fuqi pas miratimit nga Presidenti Bajram Begaj, ndërsa, sipas qeverisë, lëvrimet e para të pajisjeve mund të nisin që në shtator, nëse procedurat e zbatimit zhvillohen sipas afateve të parashikuara.
Përtej konsensusit politik mbi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, mënyra e ratifikimit ka nxjerrë në pah përplasjen e vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës mbi procedurat parlamentare, një debat që pritet të vazhdojë edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.























