Vetëm gjatë muajit gusht 2025, Shqipëria humbi rreth 56 mijë e 298 hektarë pyje dhe kullota nga zjarret, duke e shënuar këtë periudhë si më të djeguren në dekadën e fundit.
Sipas të dhënave të sistemit Copernicus Emergency Management Service (CEMS), mbi 20 mijë hektarë u shkrumbuan vetëm në datën 12 gusht, dita më e nxehtë dhe më e përflakur e verës.
Qarqet më të goditura ishin Vlora, Delvina, Gjirokastra, Dibra dhe Elbasani, ndërsa sipërfaqet e djegura në Tiranë arritën 1,083 hektarë, shumëfish më tepër se mesatarja e pesë viteve të fundit.
Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kapacitetet e ndërhyrjes nga emergjencat civile ishin minimale. Buxhetet për mbrojtjen nga zjarret janë të pamjaftueshme, dhe shpërndarja e fondeve për shërbimet e zjarrfikësve nuk përputhet me përmasën e katastrofës.
Vetëm Bashkia e Tiranës ka alokuar rreth 2.2 miliardë lekë për emergjencat civile dhe mbrojtjen nga zjarri, që përfshin shpenzime operative dhe kapitale.
Qeveria shqiptare ka plane të riorganizojë shërbimin e zjarrfikës përmes një komande qendrore ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike, temperatura ekstreme dhe thatësira e gjatë e verës e bëjnë Shqipërinë zonë me rrezik shumë të lartë për zjarre. Zjarret jo vetëm shkatërrojnë pyjet dhe biodiversitetin, por ndikojnë edhe në ekonominë rurale dhe cilësinë e jetës.
Flaka që përpiu Shqipërinë
Era e gushtit 2025 ishte e nxehtë dhe e thatë. Në fshatin e vogël të Baldushkut, diku pranë Tiranës, një grup zjarrfikësish shikonin me ankth flakët që përpinin pyllin. Me lopata në dorë dhe uniforma të çrregullta, ata përpiqeshin të pengonin përhapjen e zjarrit, ndërsa një helikopter nuk gjendej askund për të ndihmuar.
Arbeni, një prej zjarrfikësve, përpiqej të organizonte ekipin me vetëm tre mjete dhe 16 kolegë për të mbuluar mijëra hektarë pyje.
“Kemi gjithçka, përveç mjeteve dhe mbështetjes,” thoshte ai, duke hedhur shkurre mbi flakët që afroheshin pranë shtëpive të banorëve. Në horizont, tymi i zi ngrihej mbi kodrat, dhe shpresa ishte e vetmja pajisje që nuk mungonte.
Ndërkohë, në Vlorë dhe Delvinë, të tjera vatra flakësh përpinë dhjetëra mijëra hektarë tokë, kullota apo dhe shtëpi banimi.
Sipas raportimeve nga bashkitë dhe prefekturat, numri total i zjarreve të regjistruara gjatë periudhës 1 Janar –19 Gusht 2025 në territorin e Shqipërisë është 2005 vatra zjarri.
Sipas të dhënave të Copernicus, deri në gusht të 2025 në Shqipëri janë djegur rreth 56 mijë e 298 hektarë, duke e kthyer këtë vit në më problematikun që nga 2007-ta.
Vetëm gjatë 12 gushtit u dogjën mbi 20 mijë hektarë në një ditë të vetme.
Shërbimi Copernicus EMS On-Demand Rapid Mapping vlerësoi se vetëm dy vatrat kryesore në Dukat dhe Lurë prekën mbi 4,120 hektarë.
Në nivel atmosferik, zjarret e gushtit regjistruan shkarkimet më të larta të dekadës me 14 kiloton monoksid karboni dhe 0.3 milionë ton CO₂ të lëshuara në ajër.
Ekspertët e EFFIS paralajmërojnë se rreziku nga zjarret në Shqipëri mbetet “shumë i lartë” për shkak të kombinimit të temperaturave ekstreme, thatësirës dhe mungesës së infrastrukturës mbrojtës.
Zjarret jo vetëm që shkatërrojnë biodiversitetin, por ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe në ekonominë rurale. Ekspertët thonë se duhet një kohë të gjatë rigjenerimi.
Një pyll apo shkurre e djegur kërkojnë vite të shkojnë në klimaksin normal. Sipas Këshillit Arktik, koha e ripërtëritjes për një pyll të djegur ndryshon ndjeshëm, duke filluar nga disa vite deri në shekuj, kjo në varësi të disa faktorëve; në përgjithësi, fidanët e parë shfaqen brenda 10 viteve të para, por kalimi në një pyll të rritur që të ngjajë me gjendjen e arritur para zjarrit mund të zgjasë 50 vjet ose më shumë.
“Sivjet u shpenzuan 350 milionë euro për të shuar zjarret në pyje, por në fund i shuajti Zoti, me shiun,” – deklaroi Ardmir Doda, inxhinier pyjesh dhe përfaqësues i Shoqatës “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” (QSNN) në Fushë-Arrëz.
Ai prezantoi projektin e tij në forumin e GreenAL duke propozuar ngritjen e kullave të vrojtimit, përdorimin e dronëve dhe pajisjen me mjete moderne monitorimi si zgjidhje parandaluese.
Në forum, pedagogë dhe ekspertë të mjedisit deklaruan se dëmet nga zjarret nuk lidhen vetëm me klimën, por edhe me mungesën e politikave parandaluese dhe koordinimit institucional.
Profesori i asociuar i UBT-së, Arsen Proko, theksoi se “ndryshimet klimatike kanë ulur nivelin e sekuestrimit të karbonit”, ndërsa “mungesa e logjistikës, metodologjisë dhe trajnimeve e vështirëson menaxhimin e situatave emergjente”.
Sipas tij, krijimi i sistemeve FireSmart për parandalim, përgatitje, shuarje dhe menaxhim pas zjarrit do të ishte një zgjidhje e mençur ndërsa e konsideron si domosdoshmëri “mbështetjen e administratës me teknologji dhe trajnime” .
Një shërbim jetik në prag kolapsi
Në Gramsh, mesditën e 12 gushtit një 80-vjeçar, humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij, që u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës, pranë pyjeve të pishës në faqen e malit Koshnicë.
Në orët e mbrëmjes situata u rëndua së tepërmi nga vatra e shfaqur në Delvinë, pasi zjarri iu afrua puseve të naftës në zonë. Gjendja u deklarua si kritike dhe qindra forca zjarrfikëse dhe të Emergjencave u hodhën në aksion të madh për ta lokalizuar.
Ndërsa flakët përhapeshin me shpejtësi mijëra sipërfaqe kullota, zjarrfikësit në terren u përballën me to me mjete të prodhuara gati 60 vite më parë, shumë prej të cilave janë dhurata nga shtete të tjera.
Ky problem, i ngritur vazhdimisht në auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), mbetet po aq akut edhe në vitin 2025, ku në shumë zona zjarri u pa të shuhej ende me lopata, degë shkurresh dhe mjete të improvizuara.
Përtej zjarrfikëseve të vjetra, helikopterëve të pakët në numër apo të avionëve zjarrfikës, të dhënat tregojnë se bashkitë nuk janë në gjëndje për ti garantuar zjarrëfiksëve edhe veshje për tu mbrojtur gjatë ‘luftës’ me flakët.
“Bashkive dhe njësive administrative u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, si kostume anti-zjarr, kundërgaz, çizme kundra zjarrit, doreza kundra zjarrit etj”, thuhet në një auditim të KLSH-së të 2023-shit.
Situata, dy vite më vonë, është thuajse identike.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret, Arben Cara, gjatë një takimi në Kukës, pranoi se zjarrfikësit punojnë në kushte të pasigurta.
“Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme të mëdha infrastrukturore. Ka mungesa të theksuara në pajisje dhe uniforma. Uniforma standarde është detyrim ligjor, por në shumë bashki ajo mungon ose nuk ofron mbrojtje reale ndaj flakëve.” – deklaroi ai.
Në situatën katastrofale që u përball vendi, Forcat e Armatosura të Shqipërisë kishin në dispozicion 4 helikopterë, ndërsa si pjesë e mbështetjes ndërkombëtare, u dërguan helikopterë dhe avionë të tjerë nga vendet partnere.
Të thënat zyrtare thonë se “në terren operuan 10 helikopterë dhe 7 avionë, duke siguruar një reagim të koordinuar dhe efektiv ndaj zjarreve dhe duke mbrojtur komunitetet dhe territorin shqiptar”.
Megjithatë, raporti i vitit 2023 i Këshillit të Lartë të Shtetit (KLSH) evidenton shkelje ligjore dhe mangësi të rëndësishme në menaxhimin e emergjencave civile.
Nga 4 helikopterët ‘Cougar’ të Forcave të Armatosura, vetëm njëri ishte funksional, ndërsa forcat zjarrfikëse kishin pajisje dhe makina të vjetruara, shumë prej tyre të viteve 1960-1970.
Gjendja e mangët operacionale e helikopterëve të Forcave të Armatosura të destinuar për emergjencat civile (zjarret), ka krijuar boshllëk në kryerjen e operacioneve të shuarjes së zjarreve të rëna në vendin tonë. Sipas raportit thuhet se nga 4 helikopterë ‘cougar’ që kanë Forcat e Armatosura vetëm njëri është funksional, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kanë veshje dhe pajisje e makinat zjarrfikëse janë të viteve 1960-1970.
‘Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse. Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme.’ vlerëson KLSH.
Pavarësisht rritjes së numrit të zjarreve, buxhetet për mbrojtjen nga flakët mbeten minimale.
Bashkitë në të gjithë vendin kanë një personel rreth 25% më pak zjarrfikësish, sesa e kërkon ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
Në legjislacion përcaktohet se çdo stacioni i shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) një njësi operuese dhe inspektuese që ngrihet në çdo bashki, duhet të zbatojë standardin e të pasurit 1 zjarrfikës profesionist për 1,500-2,000 banorë.
Në total në të gjitha bashkitë në rang vendi janë të punësuar 1,300 zjarrfikës sipas të dhënave të Institutit të Bashkive të Shqipërisë.
Në raportin vjetor për “Qeverisja vendore në Shqipëri”, Institutit për Bashkitë te Shqipërisë evidenton se numri mesatar i zjarrfikësve në nivel kombëtar arrin 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë, ndërsa numri i automjeteve zjarrfikëse është 0.9 për 10,000 banorë.
Për të gjitha 61 bashkitë e vendit, fondi i dedikuar për “mbrojtjen nga zjarret” arrin vetëm në 21 milionë euro.
Një hetim i gjerë nga INA Media në 18 bashki të vendit zbulon një sistem zjarrfikës në kolaps funksional.
Automjete të vjetra, pajisje mbrojtëse në mungesë dramatike dhe kushte pune skandaloze përcaktojnë përditësinë e atyre që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët.
Kryeministri Rama në fillim të tetorit paralajmëroi riformimin e sistemimit të mbrojtës civile në vend.
Megjithëse qeveria ende nuk ka një statistikë të qartë të pasojave nga zjarri, në prezantimin e paketave ligjore dhe nismave në kuadër të këtij reformimi, Kryeministri Edi Rama premtoi transformimit të shërbimit zjarrfikës në një aktivitet qeverie në Farkë.
Shërbimi zjarrfikës do të organizohet përmes një komande qendrore, e cila do të koordinojë të gjitha strukturat në të gjithë territorin.
“Në programin tonë qeverisës, për këtë mandat, kemi vënë një fokus të veçantë rimodelimit të shërbimin tonë zjarrfikës. Duke nisur nga rishikimi i kuadrit ligjor në fuqi. Produkt i punës sonë do të jetë dhe Komanda e Qendërzuar, e cila do të punojë e funksionojë me protokollet më të mira evropiane,” – deklaroi Ministria e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu.
Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
































